Armando Sadiku më në fund ka arritur që të thyejë mallkimin para portës kundërshtare me fanellën e Bolivar. Në ndeshjen e tij të 11 zyrtare me këtë klub, ai ka tundur sot rrjetën në një sfidë të kampionatit bolivian.Sadiku ishte kritikuar për paraqitjet e deritanishme, ku kishte shpërdoruar raste të mira e përveç të tjerave kishte humbur edhe penallti në sfida të rëndësishme për ekipin e tij, edhe në Kupën Libertadores apo Sudamerikana.

Por sot, në sfidën kundër San Hose në kampionat, në minutën e 22-të ai la shenjën e tij në duel.Pasi shmangu pozicionin jashtë loje, Sadiku u shfaq i vetëm para portierit dhe nuk e kishte të vështirë të mposhte atë duke i dhënë avantazhin ekipit të tij, për t’i dhënë fund një mallkimi të gjatë që kishte vënë në dyshim edhe vazhdimësinë e tij në klub. Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, erdhi edhe goli i dytë i tij, duke çuar shifrat në 2-0 për Bolivar e duke treguar se sulmuesi shqiptar ka mjaft për të dhënë për këtë skuadër.