DURRËS, 4 nëntor 2014–  Në deklaratën e dhënë për “SKY SPORTS”, presidenti i FSHF-së Armand Duka tregon përgatitjen e dosjes që do të përfaqësojë Shqipërinë në Apelimin e vendimit të marrë nga UEFA. Media britanike tregon faktet që nuk janë marrë parasysh në vendimin e institucionit të futbollit evropian dhe shpresën e FSHF-së në Gjykatën e Arbitrazhit. Ngjarja e rëndë në stadiumin “Partizani” të Beogradit ka bërë jehonë edhe në mediat botërore dhe e radhës është “Sky Sports” që tregon interes për renditjen e fakteve në lidhje me ngjarjen në fjalë në ndeshjen Serbi-Shqipëri. I intervistuar ka qenë presidenti i FSHF-së Armand Duka që ka treguar me detaje dosjen që do të dërgohet për të apeluar vendimin absurd që është marrë nga UEFA. “Akoma jemi duke pritur arsyetimin e vendimit që ata kanë marrë dhe me pas do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm ligjorë për të apeluar atë vendim absurd”, ka deklaruar Duka. Presidenti ka shtuar se e ka parë e gjithë bota tmerrin, racizmin dhe gjenocidin që ka ndodhur nga më shumë se 30 mijë serbë ndaj kombëtares shqiptare dhe punonjësve të federatës. “Na është thënë që do të jenë 4000 forca policie dhe 947 stjuart për të ruajtur sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes. Me atë që ndodhi në fushë, tregohet më së miri mungesa e organizimit të një ndeshjeje futbolli që e ndëshkon automatikisht skuadrën pritëse me humbje të ndeshjes dhe federatën e saj me masa ndëshkimore”, është shprehur presidenti i FSHF-së. Presidenti ka shtuar edhe faktet e racizmit dhe të gjenocidit të luftës të shfaqura në stadium dhe jashtë tij. “Kemi shkuar vetëm për të luajtur futboll, pa asnjë masë sigurie dhe asnjë masë tjetër. Kemi parë banderola të komandantëve të gjenocideve serbe që kanë marrë edhe ndëshkime në Gjykatën e Hagës për krime lufte. Kemi dëgjuar gjatë gjithë kohës thirrje ‘vritini, vritini shqiptarët deri sa të mos mbesë asnjë’. Çdo gjë e tillë që nuk u mor parasysh nga UEFA në hetimin e ngjarjes, është dokumentuar me foto dhe video, për të treguar atë që ndodhi dhe për ta dërguar në Apel”, ka deklaruar Armand Duka. Presidenti ka shtuar se ka pasur dhunë të pashembullt, jo vetëm nga tifozët në fushë, por është parë nga të gjithë që kanë zbritur në fushë njerëz të inkriminuar. “Ivan Bogdanov është organizatori dhe personi përgjegjës për tifozërinë. Ai është ndëshkuar nga disa gjykata për krime, ka qenë përgjegjësi i ngjarjes në Xhenoa dhe u pa që u fut në fushë edhe në ndeshjen Serbi-Shqipëri. dhuna e tifozëve është vijuar edhe nga punonjësit e sigurisë, dhe kapiteni Cana vijon që të jetë i dëmtuar nga ajo ngjarje”, ka përfunduar Duka në deklaratën e tij për median britanike.