Mesfushori i Teutës, Sherif Kallaku është një nga surprizat më të bukura të gjysmës së parë të Kategorisë Superiore. Me klasin e treguar në 2 fazat e lënë pas, 20-vjeçari ka hedhur kandidaturën për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar, në një të ardhme të afërt, edhe pse mesfushori e pranon se duhet të japë shumëfishin e asaj që ka dhënë.

Kallaku ka folur gjithashtu edhe për objektivat e skuadrës durrsake, teksa tregon se “Djemtë e Detit” nuk kanë frikë nga titulli, teksa do të tentojnë të marrin maksimumin nga ky sezon.

“Normalisht ëndrra e çdo futbollisti është Kombëtarja, por të kapësh Kombëtaren A duhet shumë punë dhe duhet të jap shumëfishin e asaj që kam dhënë deri më tani. Me vullnet dhe punë arrihet gjithçka. Mund të them se jam pak i rënduar nga këmbët, jo vetëm unë por i gjithë ekipi, sepse kemi punuar intensivisht me nga dy seanca, përgjatë 12 ditëve. Gjithsesi kjo do jetë një javë ku do lirohemi. Objektivi? Ne e kemi thënë që në fillim, se objektivi i drejtuesve është që të kapim kupat e Europës. Nëse titulli është pranë, pse mos ta tentojmë? Nuk kemi frikë nga titulli”, u shpreh Kallaku.