Ditën e sotme, trajneri Bledi Shkëmbi doli në konferencë për shtyp, ku u shpreh i sigurt se ekipi durrsak do reagojë, ndërkohë pati edhe falënderime për ish-lojtarët e tij, Hidin dhe Bicajn, që tani janë pjesë e ballshiotëve.

Shkëmbi u shpreh se ekipi i tij po has probleme në sulm, por nga ana tjetër pret që edhe lojtarët të bëjnë ndryshime në lojën e tyre.

GJENDJA –Grupi është mirë fizikisht, jemi munduar të punojmë në aspektin psikologjik e të jemi të qetë për Bylisin. Teuta duhet të bëjë ndryshe nga ajo që tregoi me Laçin. Duhet të bëjë ato që ka bërë. Ato që po bënte deri para ndeshjes së fundit në kampionat. Nuk ka asgjë që më shqetëson. Jam i bindur që skuadra do të reagojë.

NDAJ BYLISIT – Na vjen mirë që jemi të vetmit që e kemi mundur Bylisin. Natyrisht, ka shumë shanse të ndodhë sërish. Në këtë kampionat mund të fitohet ndaj kujtdo. Receta për fitore? Jam dakord që kemi pasur probleme në sulm, por nuk e kemi vetëm ne. Kudo në botë është e vështirë në sulm. Shpresoj të ndryshojë pikërisht pjesa sulmuese. Nuk do të thotë gjë me sa sulmues luhet, por ka të bëjë me qetësinë. Normalisht duhet të mbështesë i gjithë ekipi.

NIKAÇ DHE KHALID – Për sulmuesit nuk është kaq e lehtë të thuash se çfarë nuk shkon. Kam pasur dhe vazhdoj të kem besim. Po punojmë që ata të jenë në formën maksimale dhe të shënojnë gola për të ndihmuar ekipin. Nëse nuk shënojmë, atëherë bëhet e vështirë. Vendosim nesër nëse do luajmë me dy sulmues apo jo.

HUMBJA ME LAÇIN – Jam dakord që nuk ishte Teuta që keni parë dhe jeni mësuar. E kam thënë edhe pas ndeshjes, përgjegjësitë i kam unë. Nuk arrita ta përgatis ekipin në aspektin psikologjik për ndeshjen me Laçin. Shpresoj që të kemi bërë të kundërtën tani dhe lojtarët të kenë të kuptuar se duhet ta ndryshojnë patjetër mënyrën e lojës.

TË PAKËNAQURIT – Në ekipin tim, edhe vjet, edhe sivjet, nuk ka ngelur futbollist pa luajtur. Në Laç unë futa edhe Kapllanin. Kur ndonjë nuk jep atë që dua pas disa ndeshjes, nuk luajnë. Unë kam besim tek ata, por në këto momente ka lojtarë më në formë dhe më të përgatitur për të përballuar ndeshjet.

ISH-ët BICAJ DHE HIDI – I falënderoj ata që i kemi pasur vjet, pasi na ndihmuan të realizojmë objektivat. Bëmë një sezon të mirë, pavarësisht disa momenteve jo të mira. Nuk kam ndonjë ndjesi të veçantë, pasi e gjithë jeta na ka shkuar duke luajtur ndaj shokëve, ndaj ‘ish’-ëve. Edhe tani si trajner nuk ndjej ndonjë gjë të veçantë. Normalisht ne duam të fitojmë, sikurse duan edhe ata. Kjo është shumë normale.