Sot nisi zyrtarisht viti i ri akademik në të gjitha shkollat e larta publike e private në vend. Rreth 15 mijë studentë ju drejtuan auditoreve të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës duke shënuar kështu numrin më të madh të studentëve që regjistron ky universitet në këto gjashtë vite jetë.
Sipas rektorit të këtij universiteti Mit’hat Mema plot 5100 studentë do të ulen për herë të parë në auditore, nga të cilët 2520 studentë janë parashikuar për ciklin e parë të studimeve dhe 2600 të tjerë për 32 programet e masterit, ndërsa 900 studentë jashtë këtij numri janë parashikuar për studime part time. Fituesit në universitete për herë të parë këtë vit akademik patën mundësi të regjistrohen online, pa patur nevojën të shkojnë pranë sekretarive të universiteteve.
Gjithashtu për herë të parë këtë vit, studentët patën një mundësi më shumë se vitet e kaluara, pasi një student fitues në fazën paraprake në njërën nga preferencat e zgjedhura me anë të formularit A2, mund të regjistrohej përfundimisht në atë program.
Si çdo vit tjetër akademik edhe këtë herë universiteti i Durrësit vjen me degë dhe programe të reja për studentët. Këtë vit janë hapur dy degë të reja si dhe 18 programe masteri. Vlen të nënvizohet këtu se të gjithë fakultetet e tij ofrojnë ciklin e dytë të studimeve me programe të reja Master Shkencor dhe Master Profesional. S
ipas rektorit Mema, numri i studentëve që janë regjistruar në ciklin e parë të studimeve, vetëm në fazën e parë për këtë vit të ri akademik zë afro 85 përqind të kuotave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për universitetin e Durrësit. “Universiteti “Aleksandër Moisiu”, po zhvillohet me hapa galopantë dhe nga viti në vit po sjell risi e mundësi të reja per studentët e tij. Vetëm në gjashtë vite jete, UAMD-ja është shndërruar në një nga universitetet më të kërkuara nga aspirantët për studentë, jo vetëm nga qyteti i Durrësit, por edhe nga rrethet e tjera”,- tha rektori Mema.
Interes të madh studentët kanë treguar për degët e Fakultetit të Ekonomisë, Juridikut, Teknologjisë së Informacionit dhe Infermierisë. Në Universitetin e Durrësit funksionojnë 6 fakultete me 44 programe studimi. Në të njëjtën kohë universiteti ka një filial të tij në qytetin e Peshkopisë, i hapur në vitin 2009.
Për herë të parë universiteti hapi dyert për studentët në vitin akademik 2006-2007 me rreth një mijë studentë nga i gjithë vendi. Sot në vitin e gjashtë të jetës, universiteti “Aleksandër Moisiu ka rreth 15000 studentë. Filozofia e punës është “studenti në qendër të vëmendjes”, që do të thotë se gjithçka që ndodh në universitet që nga procesi mësimor, shërbimet, aktivitetet dhe mjetet janë në dispozicion ekskluziv të studentit. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet një stafi dinamik të zgjedhur dhe të përkushtuar, një ambjenti të kompjuterizuar që mundëson kontakte të vazhdueshme me botën akademike perëndimore dhe nëpërmjet veprimtarive të larmishme ekstrakurrikulare.
Universiteti i Durrësit është në pritje të përfundimit të kampusit të ri universitar, i cili po ngrihet në zonën e Spitallës dhe do të shërbejë për akomodimin e afro 20 mijë studentëve, të personelit akademik e administrativ. Në këtë sipërfaqe është projektuar të përfshihen 8 godina për fakultetet, godinat e konvikteve, godina e bibliotekës shkencore dhe qendrës studentore, hapësira për argëtim e terrene sportive, si dhe ambiente parkimi.
Urimi i rektorit Mit’hat Mema
I uroj suksese të gjithë studentëve të cilët për herë të parë ulen në auditoret e këtij universiteti dhe të gjithë atyre që janë në vazhdim të rrugës së bukur e të vështirë drejt dijes.
Falenderoj studentët për zgjedhjen e bërë dhe u premtoj atyre se UAMD do t’i shoqërojë drejt një suksesi e karriere të sigurt. Universiteti ynë është një universitet me mentalitet të ri pasi këtu në qendër të vëmendjes është studenti.