Besimtarët bektashianë festojnë Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu. Në Kryegjyshatën Botërore në Tiranë u zhvillua paraditen e së premtes ceremonia e shenjtë e festës së Sulltan Nevruzit.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj në fjalën e tij për të gjithë besimtarët bektashinj që festojnë sot Sulltan Nevruzin, solli në vëmendje shenjtin e madh, imam Aliun.

“Sot është dita e lindjes së Imam Aliut e ringjalljes shpirtërore për një të ardhme më të mirë. Uroj që Sulltan Novruzi, kjo ditë e re të sjellë mbarësi e bekime nga Zoti për të gjithë ju dhe familjet tuaja.

Në këtë ditë të veçantë uroj ta doni më shumë njëri-tjetrin, të bëni mirë e të përparoni duke pasur dashamirësinë në zemrat tuaja. Secili duhet të njohë veten, ta mundë egon dhe urrejtjen e të mbjellë paqe, dashuri e mirësi”, theksoi Baba Mondi.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tha se “duajeni atdheun, ashtu si jepni kontributin dhe integritetin tuaj në dheun tuaj. Kjo është pasuria për të cilën ka nevojë Shqipëria. S’ka pasuri si arsimi, s’ka varfëri më të madhe se injoranca”, tha Baba Mondi.

“Në këtë Muaj të Madhërishëm Ramazani ju uroj dashuri paqe e mirësi!”, shtoi Baba Mondi.

Festa e Sulltan Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin.

Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Në Shqipëri Dita e Sulltan Nevruzit, festa më e rëndësishme e bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Në vendin tonë sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.