Trajner i Kombëtares, Sylvinho, doli në konferencë për shtyp për të folur për dy ndeshjet e radhës në kualifikueset e Evropianit kundër Moldavisë dhe Ishujve Farore.

Si vijnë lojtarët në këtë grumbullim?

Është një moment disi i vështirë. Kemi folur me të gjithë lojtarët për të kuptuar situatën e tyre me çdo klub. Lojtarët që do të vijnë duhet të jenë 100% gati për të dhënë maksimumin. Do të duhet ta menaxhojmë sa më mirë grupin dhe intensitetin. Për këtë arsye kemi zgjedhur 26 lojtarë.

Keni bërë një tur me ndihmësit e tuaj, tashmë e njihni më mirë Kombëtaren…

Pyetja është e drejtë, njohim më shumë lojtarë dhe më mirë. Nuk është e lehtë, por unë jam i kënaqur me lojtarët që kam. Kemi një skuadër të re, por edhe me përvojë, që mund të bëjnë shumë mirë në dy ndeshjet e ardhshme. Tani e njoh më mirë skuadrën.

Më shumë se të bëjmë mirë duhet të fitojmë. Do t’i fitojmë këto dy ndeshje? Sa kemi mundësi t’i ftojmë?

Duam ta fitojmë ndeshjet dhe të bëjmë paraqitje të mirë. Kur luan mirë ke më shumë shanse për të fituar. Kemi shtatë ndeshje, shtatë finale, pra kemi një rrugë të gjatë. Duhet të fitojmë dhe të bëjmë sa më shumë pikë. Për momentin mendoj vetëm për Moldavinë. Ne kemi shumë dëshirë për t’u kualifikuar. Kemi një skuadër të mirë dhe unë në të vërtetë besoj. Jam i bindur që më 17 qershor kur të debutoj në Shqipëri, do të jetë atmosferë e zjarrtë dhe do të fitojmë.

Ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe do të bëjmë një lojë më sulmuese, pasi keni grumbulluar Muçin dhe Sadikun?

Sigurisht që lista është për dy ndeshje. Muçi po bën shumë mirë, është trekuartist, kërkon hapësirat shënon. Me meritë është këtu, sepse është në formë. Shpresoj të dalim sa më mirë. Sadiku rikthehet në Kombëtare, unë kam folur me të. Është një futbollist që shënon, shumë i rrezikshëm brenda zonës, një simbol për Kombëtaren. Jam i kënaqur me të dy.