Sylvinho pritet të ndryshojë pjesën më të madhe të titullarëve me Suedinë sot në orën 19:00 në Stokholm. Kjo të paktën u pa në stërvitjen e fundit dje në “Friends Arena”, por që u pranua deri diku edhe nga vetë trajneri në konferencën e zakonshme para takimit. 

Në këtë miqësore të dytë për muajin Mars, deri më tani është menduar Berisha në portë. Në mbrojtje duhet të qëndrojë Gjimshiti e Mitaj, ndërsa reparti duhet të plotësohet Kumbulla e Balliu. Në mesfushë duket se Asllani e Ramadani do ta nisin përsëri nga minuta e parë. 

Në krye të sulmit pritet që Broja të marrë vendin e Manajt, ndërsa mendohet se do të mbështet nga Muçolli, Muçi e Hoxha. Por Sylvinho është një trajner që rezervon edhe surpriza edhe pak para ndeshjes. 

Miqësorja Suedi – Shqipërisë do të transmetohet direkt në TV Klan dhe është një tjetër test pas atij të Kilit të pak ditëve më parë i humbur me rezultatin 3 – 0. Këto takime shërbejnë si përgatitje për Euro 2024.