Këtë paradite është inauguruar godina e rikonstruktuar e Ministrisë së Punëve të brendshme si dhe Muri i Memories, një memorial në kujtim të punonjësve të Policisë të rënë në detyrë.
I pranishëm në ceremoni ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili e quajti një simbol të ndarjes përfundimtare nga rrënimi. Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i ka kërkuar kryeministrit rritjen e pagave të policëve.
“Të gjallëve iu mbeten vetëm 2 mënyra për t’u përballur me dëshmorët. T’i lënë në harresë ose të formojnë rreth tyre një mit që nuk harrohet kurrë. Zgjidhja e mesme nuk ekziston. Kështu shkruante Albert Kamy. Sot përurojmë së bashku këtë godinë, është simboli i një vullneti të hekurt për të mos i harruar më dëshmorët e Policisë së Shtetit dhe për të formuar rreth tyre një mit, mitin e uniformave blu. Është simboli i një ndarjeje përfundimtare nga kohë e gjatë e një rrënimi të gjithanshëm që tek Policia e Shtetit pati shëmbëlltyrën e vet më kuptimplotë, ku të rënë apo të gjallë, u përballën për vite të tëra me murin e harresës shtetërore”, deklaroi Rama.
Nga ana tjetër kryeministri Rama theksoi se një prej emrave që do t’i bashkëngjitet 264 yjeve të vendosura në Murin e Memories është edhe ai i efektivit Ardian Kodra, i cili humbi jetën pas një aksioni për kapjen e një personi me probleme mendore në Torovicë të Lezhës.
Ndërkaq, ministri Tahiri vlerësoi figurën e policëve dhe sakrificën e tyre dhe i kërkoi publikisht kryeministrit rritjen e pagave të tyre, si mënyrë shpërblimi të punës së tyre.
“Kjo e akuzave dhe e baltës, sado e mërzitshme është thjesht politikë. Ajo që duam të hedhim pas krahëve njëherë e mirë është thjesht politikë. Ata që marrin lloj-lloj epiteti, janë djem e vajza, burra e gra me ca ditë apo ca vite punë mbi shpatulla, me sakrifica. Ai punonjësi i policisë në kryqëzim, sakrifikon për ne qytetarët e tjerë duke ndenjur 8 orë më e pakta në shi, në diell. Punonjësit e policisë që sakrifikojnë janë bijtë e nënave që sot shërbejnë dhe sakrifikohen më shumë nga qytetarët. Kanë rrogë që nuk përputhet me sakrificën. Ndaj zoti kryeministër do doja t’ju kërkoja të shihnit me përparësi rritjen e pagave për punonjësit e policisë. Nuk do jepnit lajm më të mirë për ta dhe familjet e tyre”, tha Tahiri.





