Rritet çmimi i qirave të banesave në qytetin e Durrësit. Ata që e ndjejnë më shumë janë qytetarët e dëmtuar nga tërmeti, të cilët prej dy vitesh trajtohen me bonus qiraje.

“Qiraja është duke u rritur”,– thotë një qytetare, pallati i së cilës u shemb, pasi u vlerësua me dëme DS5 nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Rritja e qirave pranohet edhe nga administratorët e agjencive imobiliare. Florian Tahiri, administrator i agjencisë “Mei Smart”, deklaron se kërkesa për banesa me qira ka qenë e madhe në muajt shtator-tetor, kur nisi viti akademik. Më të preferuarat mbeten apartamentet dhe shtëpitë në qendër, që kanë çmimet më të kripura. Sipas Tahirit, rritja e qirave me rreth 10% vjen edhe për shkak të inflacionit, që po vihet re muajt e fundit përsa i përket çmimeve të produkteve ushqimore apo karburanteve.

“Inflacioni ka ndikuar që të kemi rritje 10% në tregun imobiliar. Sikurse në shitje dhe blerje, ashtu edhe në çmimet e qirave. Nqs familjarët që japin shtëpi me qira shohin që ka kërkesë, automatikisht rrisin me 20, 30 apo 50 mijë lekë të vjetra, vlerën e qirasë së apartamentit”,- thotë Tahiri, i cili nënvizon se kjo rritje ndikon drejtpërdrejt tek qytetarët e mbetur pa shtëpi nga tërmeti.

Fillimisht çmimet e qirave nisën të rriten dy vite më parë, kur Durrësi u përball me pasojat e tërmetit dhe qytetarët e mbetur të pastrehë nisën të kërkonin banesa me qira. Nëse një apartament 1+1 kishte qira mujore deri në 150 mijë lekë, pas dhënies së bonusit, qiratë e tyre u rritën automatikisht në 200 mjë lekë.

Sipas Tahirit, një faktor që ka prishur tregun, pasi vihen re edhe qira mujore shumë të kripura (rreth 500 euro) janë shtetasit e huaj, të cilët kanë nivel ekonomik më të lartë, sesa mesatarja e familjeve durrsake.

“Është e vërtetë që e kanë prishur pak tregun sepse kemi shumë qytetarë që pranojnë ta japin apartamentin për të huajt dhe jo për shqiptarët, sepse të huajt kanë fuqi blerëse më të madhe. Kur flas për një vlerë 500 euro, është e vështirë që një shqiptar të marrë një apartament me qira me këtë vlerë. Kemi klientë, që apartamentet e tyre ua ofrojnë vetëm shtetasve të huaj”,– thotë Tahiri për “DurrësLajm”.

Shtetasit e huaj, sidomos pensionistët italianë, kanë nisur ta zgjedhin gjithnjë e më shumë Durrësin për të jetuar, pasi niveli i jetesës këtu është më i ulët sesa në Itali.

M.B.