26 nëntori do të mbetet një natë e zezë në historinë e Durrësit modern. Ajo shkundje e tmerrshme që na ngriti të tromaksur në mes të natës rrëmbeu dhjetëra jetë të pafajshme. Esiela e vogël humbi jetën së bashku me nënën e saj Dienën dhe ju bashkuan në qiell babait të saj, që e kishte humbur pak vite më parë. Kristi, mjekja e ardhshme, nuk mundi të vishte bluzën e bardhë për t’u dhënë jetë pacientëve të sëmurë. Shembja e pallatit ia preu jetën në mes së bashku me babain Eduartin, mamin Dolora dhe vëllain Klaus. Një familje e tërë nën dhe, lot e dhimbje e papërshkrueshme tek të afërmit.
Dionisi dhe Dionisa, vetëm dy vjeç, u gjetën së bashku me mami Marjetën dhe vëllanë më të madh, Emilion 7 vjeç. U gjetën të përqafuar… Në atë moment të mbrapshtë u mblodhën tok për t’i shpëtuar tmerrit. Fatkeqësisht nuk ia dolën. Së bashku me motrën e tyre Amelian 8 vjeçe janë tashmë yjet më të rinj në qiell.
Isah dhe Shemsedin Abazi humbën jetën nën rrënojat e një hoteli në Durrës. Kishin ardhur për punë, por u kthyen në shtëpinë e tyre në arkivol. Tashmë nga qielli do të jenë ëngjëjt mbrojtës të fëmijëve të tyre. Ashtu siç do të jetë Eviola për nënën e saj të sëmurë. Eviola punonte për të mbledhur para për kurimin e nënës së saj, por nuk mundi ta çonte deri në fund misionin e saj. Gjithçka iu pre në mes në orën 03.54 të së martës së 26 nëntorit.
Ajo orë e mbrapshtë përveç jetëve të pafajshme la traumë dhe tek qindra mijëra durrsakë. Rradhët kilometrike të së enjtes në autostradë ishin dëshmia më e qartë e një populli që kishte marrë arratinë nga “ferri” i përjetuar gjatë 3 ditëve, ku lëkundjet nuk kishin të ndalur. Lotët dhe paniku në sytë e të gjithëve ishin dëshmia e qartë e frikës për të nesërmen. Ndërsa falenderonin zotin që shpëtuan kokën, nisnin të ndërgjegjësoheshin se do t’u duhej të nisnin gjithçka nga e para. Qindra shtëpi e pallate të shkatërruara, mijëra familje që pyesin veten se çfarë i pret tani, kur mundi i një jete u “shkërmoq” brenda pak sekondash.
Pasiguritë për të nesërmen janë të shumta, por shpresa është ende e gjallë. Pavarësisht se qyteti është shkatërruar në një pjesë të madhe të tij, pavarësisht se është thuajse i boshatisur, durrsakët do të kthehen. Ai burrë që ushqente pëllumbat në mëngjes, ndërsa në sfond dielli ndriste qytetin pas një nate me shi, është sinjal se jeta vazhdon. Se pavarësisht furisë natyrore të 26 nëntorit, Durrësi vazhdon të mbetet qyteti që të gjithë ne e duam aq shumë.
Fëmijët e lindur në maternitetin e Durrësit këto ditë të vështira janë tjetër dëshmi se jeta vazhdon. Ndërsa mes lotësh kryhen ceremonitë mortore të viktimave, mes lotësh gëzimi kumbojnë të qarat e bebeve që vijnë në jetë në këto ditë kaotike. Pavarësisht të vdekurve, dëmeve, ankthit e pasigurisë, qyteti do të rimëkëmbet. Durrësi i lashtë mbijeton prej 3000 vitesh. Do ia dalë edhe kësaj here, të gjithë bashkë do ia dalim.
Ai flamur kuq e zi që ngrihej mbi rrënojat e hotelit të shkatërruar është sinjal se ashtu si shqiponja, edhe ne jemi të fortë, asgjë s’do na mposhtë. Ai moment i mbrapshtë do të kthehet pas ca kohe në një kujtim të hidhur, por nga i cili duhet të nxjerrim mësim. Një mësim jete.
Më shumë sesa për mobiljet e shtrenjta në shtëpi, duhet të mendojmë më parë për sigurinë e shtëpive tona. Nuk duhet t'i harrojmë asnjëherë ato pallate që u shkërmoqën si kala rëre, ato ndërtesa që u zhytën në tokë, ato godina që u rrëzuan si gjethet e pemëve në vjeshtë.
Kushdo që është përgjegjës për ndërtimet pa kriter dhe pa zbatuar rregullat teknike duhet të përgjigjet. Kushdo që është përgjegjës për këtë masakër urbane duhet të japë llogari. Kushdo që në makutërinë për të fituar sa më shumë, vuri në rrezik jetët njerëzore duhet të shkojë pas hekurave.
Qyteti jonë që shumë prej nesh e lanë dje me lot në sy e shumë të tjerë mezi presin të kthehen do të ringrihet. Edhe më i fortë, edhe më i bukur. Ashtu siç ka ndodhur në shekuj e mijëvjeçarë.
Dukuritë natyrore nuk i ndalojmë dot, por dukuritë e shkaktuara nga njeriu po. Të mos lejojmë më të na e marrin jetën në pallate rrezik-vdekje. Të mos lejojmë më të na e masakrojnë qytetin për herë të dytë.
M.B.