ANTARKTIDE – Që nga momenti kur një pinguin i vogël po shkonte drejt e në gojën e një leopardi deti fati i tij ishte vulosur. Fotot e shkrepura në ujërat e ngrira të Antarktidës dëshmojnë luftën për mbijetesë që bëhet nën ujë, ku si gjithnjë më të fortit triumfojnë.

Megjithë tentativat që bën pinguini i vogël ai nuk mund t’i shpëtojë dhëmbëve të mprehtë të leopardit të detit që ashtu si “vëllëzërit” e tij që ecin mbi tokë dallohet për shpirtin luftarak dhe egërsinë e sulmeve.

Imazhet e kësaj lufte të pabarabartë janë shkrepur në ujërat e Port Lockroy, një port natyror ku rriten koloni pinguinësh.

Zogjtë e vegjël të pinguinëve notojnë shpesh në këto ujëra për të luajtur me njëri tjetrin duke mos menduar për rreziqet që i vijnë nga thellësitë.

Sipas studiuesve të këtyre specieve leopardi i detit është mjaft dinak dhe shpesh për të mashtruar pinguinët ai fut kokën nën ujë, në afërsi të bregut, dhe nga larg duket si një shkëmb e jo një kafshë grabitqare.

Pinguinët që mashtrohen dhe shkojnë për të pushuar pranë këtij “shkëmbi” nuk kanë fatin të kthehen sërish pranë kolonisë së tyre.