6 maj 2015 – Në kuadër të nismave të ndërmarra për të mbrojtur mjedisin, një grup të rinjsh mbollën bimë dekorative në mënyrë simbolike në Ditën Ndërkombëtare të Luleve në Kodër Currila.

Nisma, e cila u mbështet edhe nga ministri i Mjedisit Lefter Koka, ka për qëllim kthimin e sa më shumë hapësirave të gjelbra si dhe uljen e nivelit të ndotjes në qytetin ku jetojmë. Të rinjtë zgjodhën të udhëtonin me biçikleta nga shëtitorja "Taulantia" në drejtim të Kodër-Currilave, aty ku dhe u ndalën për të mbjellë në mënyrë simbolike bimë dekorative.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka, tha se të gjithë bashkë mund të kthejmë në funksion të komunitetit edhe terrene të vështira siç ka qenë dikur Kodër-Currila, një zonë mjaft problematike për shkak të erozionit të tokës.

Përdorimi i biçikletave në vend të makinave për të mbrojtur mjedisin, ka qenë ky mesazh që dhjetra të rinj kanë përcjellë në Ditën Ndërkombëtare të Luleve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/