Sekretariati i Rinisë në PS-në e Durrësit, duke marrë shkas nga debati i fundit në Këshillin Bashkiak, mbi vendimin e Këshillit të Ministrave për të nxjerrë jashtë banesave të tyre të gjithë personat që banojnë në shtëpitë e ish pronarëve, është pozicionuar kundër këtij vendimi që krijon një problem të mprehtë social për strehimin e mbi 3 mijë familjeve në vend.

Joana Konakçiu në emër të Sekretariatit tha se kjo strukturë do të përdorë çdo mjet të presionit politik për ta anulluar atë, si dhe përkrah çdo vendim të deritanishëm të pushtetit lokal për të refuzuar kompromisin për zbatimin e këtij vendimi. Të rinjtë u shprehën kundër manipulimit politik që i bëhet kësaj shtrese nga shumica dhe i kujtuan asaj e veçanërisht Kryeministrit se barazia e qytetarëve është në themel të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe se përveç nxjerrjes në rrugë të afro 3 mijë familjeve, nuk mund të luajë me jetët e shqiptarëve për hir të interesave të ngushta politike.

Ky grupim politik të rinjsh, ndërsa u kanë ofruar mbështetje të plotë familjeve që numërojnë me ankth ditët që afrojnë për të lënë shtëpitë ku kanë jetuar prej dekadash, i kujtuan ministrit Olldashi situatën e ngjashme të gjyshërve të tij: “Sekretariati i Rinisë, gjithashtu, dëshiron ti kujtojë z.Kryeministër dhe ndonjë Ministri që ai ka pranë, me origjinë nga Durrësi, se janë pikërisht gjyshërit e tyre të ndjerë që kanë mbajtur dhe jetuar në vila luksoze ish-pronarësh, siç është rasti i gjyshërve të z.Olldashi të cilët jetuan në vilën e familjes Kadarja dhe Rrufa, që pasi i shtetëzuan ua morën për banim deri në fillim të viteve ‘90”.