Ka ditë që para bashkisë së Durrësit qëndrojnë një mori e madhe burrash e grash, të cilëve në sy u lexohet dëshpërimi. Aty rrinë me orë të tëra, në pritje për të takuar ndonjë prej të “mëdhenjve” të bashkisë, prej të cilëve kërkojnë zgjidhje. Që në pikë të mëngjesit mblidhen aty. E njohin njëri – tjetrin shumë mirë. I pyeta e më thanë se janë ambulantët e plazhit që i kishin larguar nga vija bregdetare ku prej vitesh shisnin gjithfarë produktesh, që nga misrat e pjekur, akulloret, petullat etj.
Të gjithë ambulantët u përzunë këtë vit nga plazhi dhe kjo punë e Policisë Bashkiake është për t’u vlerësuar sepse pastroi plazhin nga zhurmat që bënin apo nga pasiguria që ushqimet e ambulantëve jepnin për konsumatorin. Në planin social, e gjithë lukunia e këtyre të papunëve që shisnin misra dhe akullore ka mbetur pa punë e pa të ardhura.
Plazhi i madh i Durrësit më në fund po disiplinohet. Një Task Forcë, në përbërje të cilës janë përfaqësues nga institucione vendore e qendrore, po monitoron zonën, bizneset, plazhet, hapësirat publike, baret e restorantet për kuponat tatimorë.
Në fije të gjilpërës po i shkojnë të gjithë parregullsitë. Krahas plazhit masiv në Durrës ka edhe zona elitare të biznesit të turizmit, si ajo e Kallmit, e cila gjendet në një handikap të madh ligjor, e lënë e tillë nga vetë strukturat e qeverisë qëndrore dhe vendore.
Zona e gjendur në veri të Durrësit ka marrë një hov të madh të zhvillimit të turizmit, gjatë viteve të fundit. Biznese shumë të fuqishëm ushtrojnë aktivitetin aty, duke nisur nga pabet, restorantet, baret, plazhet privatë etj, të cilët kanë xhiro ditore milionëshe në ditë apo në javë. Këto biznese, plehërat i kanë derdhur rrugëve, madje aty janë vënë edhe kazanë për pastrimin e tyre, por pastrimi bëhet “rrallë e për mall”.
Rrugët janë mbushur me plehëra që dekompozohen në ajër, ndërsa të shumtë janë turistët që sfidojnë rrugën e pastruar në kërkim të natyrës së virgjër dhe plazheve të zonës. Por këto biznese turistike që operojnë në sezonin e verës, janë pothuajse ilegalë, pasi qeveria nuk ka miratuar asnjë plazh privat në këtë zonë.
Me vendim të qeverisë janë miratuar plazhet e mëposhtëm: Plazhi i madh, Shkëmbi i Kavajës, Gjiri i Lalëzit, Sektor Rinia. Plazhet e Kallmit dhe të Porto-Romanos, pavarësisht se funksionojnë e nuk kanë asnjë pëllëmbë të lirë, nuk janë të rregjistruar fare në organet tatimore, pavarësisht se aty është vështirë të gjesh një çadër bosh, ndërsa çmimet për ushqimin, shezlonin, madje edhe një shishe ujë janë disa herë më të larta se në plazhet e tjerë. Vetë shteti i ka lënë në ilegalitet një numër të madh biznesesh në këto zona.
Tatimorët e Durrësit, por edhe ata të përgjithshëm të “shkulin dhëmbë e dhëmballë” kur vjen puna për taksat e tatimet e papaguara biznesit të regjistruar ,atij të ndershmit që nuk shpëton dot nga “dara e tyre”. Në zonën turistike e në plazhet e licensuar, biznesi vendas është në survejim të tatimorëve të cilët mezi ç’presin të gjejnë ndonjë biznes fukara, e ta bëjnë shembull nëpër media.
E pra shteti kur do vë rregull, e kur nuk do në zonat elitare të turizmit, klienti e blen 2 mijë lekë shishen e ujit nga biznese krejtësisht të palicensuar, apo një çadër plazhi e mbajnë 10 e 15 mijë në ditë, për të cilën nuk paguajnë asnjë qindarkë në shtet.
P.S. Shkrimi nuk për qëllim të denigrojë njërën apo tjetrën zonë, por të tregojë se shtetarët punojnë me dy standarte, kur në dorë kanë edhe të varfrin edhe të pasurin.
K.H.