Albion Marku është futbollisti i parë që do të largohet nga Teuta pas përfundimit të sezonit. Në fakt, mbrojtësit të djathtë i përfundon marrëveshja e huazimit që kishte nga Dinamo pikërisht sot (31 maj). Në fund të merkatos së vitit të kaluar u gjet një zgjidhje dhe Marku kaloi në Durrës në formë huazimi për një periudhë 1-vjeçare.

Ai ka qenë një titullar stabël te “djemtë e detit”, duke zhvilluar 33 ndeshje. Pas mbylljes së sezonit në një pozicion që i la durrsakët jashtë Europës, drejtuesit kanë kohën e duhur për të bërë planet e sezonit të ri. Sezoni i fundit ishte për t’u harruar dhe në klub do të nisin nga puna për të ndërtuar një skuadër kompetitive për të mos dështuar në vijim. Edhe pse është herët për të folur për lëvizje konkrete, në kampin durrsak besojnë se do të ndërtohet një skuadër me konkurruese.

Pritet që disa prej lojtarëve aktualë të largohen, por më parë do të shihen edhe interesat e klubit, pasi me ndonjë prej tyre mund të ketë edhe rinovim. Një pjese të mirë të lojtarëve u ka përfunduar kontrata dhe presin të diskutojnë me presidentin për të mësuar të ardhmen e tyre.

Burime nga skuadra durrsake theksojnë se baza e ekipit pritet të jetë pak a shumë e njëjta, me disa përforcime në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Në ditët në vijim, lojtarëve të cilëve u ka përfunduar kontrata, do të takohen me drejtuesit më të lartë të klubit, për të diskutuar mbi të ardhmen e tyre. Skuadra ka marrë pushimet dhe tashmë angazhimet kanë kaluar te drejtuesit, të cilët fillimisht do të bëjnë një seleksionim të lojtarëve që do të largojnë.

Elementët që do t’i bashkohen skuadrës gjatë merkatos verore do të diskutohen shpejt pas një takimi që presidenti Hasanbelliu do të ketë me trajnerin Martini. Ky i fundit e drejtoi skuadrën në 25 ndeshje në kampionat (pa përfshirë këtu Kupën e Shqipërisë, ku u eliminua në gjysmëfinale nga Tirana), duke grumbulluar 40 pikë. Shkodrani u rikthye te Teuta në momentin më kritik të saj, duke e gjetur ekipin me 8 pikë dhe në fund të tabelës. Edhe pse ishte pranë Europës, humbja në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit kushtoi shtrenjtë për durrsakët, që zbritën nga vendi i katërt, në të gjashtin.