“Maglev” është teknologjia me të cilën synohet të transportohet një tren i rëndë dhe pa rrota përmes forcave manjetike, të cilat do ta ngrenë nga shinat dhe do ta transportojnë me shpejtësi të paparë deri më sot. Ato nuk janë thjeshtë trena që ecin mbi tokë, por janë më së shumti trena që fluturojnë, pavarësisht se vetëm pak milimetra mbi tokë.

Patenta e parë për një tren të tillë u regjistrua në vitin 1907 por vetëm më 1984 një tren i bazuar në këtë teknologji u vu në punë në aeroportin ndërkombëtar të Birmingamit. Linja qe vetëm 600 metra e gjatë dhe shpejtësia qe vetëm 40 kilometra në orë. Ajo funksionoi për 11 vjet para se të mbyllej për shkak të kostove të larta të mirëmbajtjes.

Që nga ajo kohë, prototipe trenash të tillë kanë dhënë demonstrime të shumta, por shfrytëzimi masiv i kësaj teknologjie nuk ka mbërritur ende. Sot ka vetëm dy trena të tillë në funksionim, një është në Kinë dhe një në Japoni. Treni “Maglev” që funksionon në Kinë, i transporton pasagjerët me 400 kilometra në orë mes Shangait dhe aeroportit Pudong.

Por shumë shpejt kjo situatë mund të ndryshojë. Rrugët po mbingarkohen gjithnjë e më shumë ndërsa transporti ajror mbetet i mbushur me shqetësime për ndotjen e ambientit. Qeveritë po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të teknologjisë “Maglev” si një shpëtim.

Të gjitha trenat “Maglev” veprojnë me një parim të thjeshtë. Nëse keni luajtur me magnete, duhet ta mbani mend se dy pole të kundërta tërheqin njëra-tjetrën ndërsa dy pole të njëjta shtyjnë njëra-tjetrën. Pikërisht kjo është forca që e ngre një tren disa milimetra mbi shina duke i lejuar të “fluturojë” me shpejtësi shumë më të madhe se sa trenat konvencionalë.