Kristaps Porzingis, basketbollist i Dallas Mavericks, akuzohet për përdhunim. Ngjarja, e cila raportohet nga New York Post, presupozohet se ka ndodhur në fillim të vitit 2018 në qytetin e New York-ut.

Viktimë mësohet se ka qenë një fqinje e basketbollistit letonez, e cila nuk e ka denoncuar menjëherë dhunën seksuale, pasi fillimisht ka negociuar për të marrë si dëmshpërblim për heshtjen e saj një shumë prej 68 mijë dollarësh. Avokati i Porzingis ka shpjeguar se klienti i tij “është në dijeni të akuzave dhe i hedh poshtë me forcë”.

Porzingis, 23 vjeç, nuk zbret mbi parket që nga shkurti i vitit 2018 për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Nga rindërtimi ngjarjeve mësohet se dhuna seksuale ka ndodhur pikërisht disa orë pas dëmtimit serioz, që e mban basketbollistin jashtë skuadrës prej një sezoni e gjysmë.

Sipas akuzës, lojtari është kthyer në shtëpi, ku ka ftuar fqinjën e tij për të pirë diçka. Më pas, ai ka përdorur forcën për ta detyruar vajzën e re që të kishin marrëdhënie seksuale. E dëmtuara, edhe ajo 23 vjeçe, i është drejtuar policisë një vit më vonë, duke e pranuar se nuk e kishte denoncuar më parë pasi pretendonte para në këmbim.

Për momentin, policia e New York-ut nuk ka dhënë detaje rreth hetimeve, ndërsa skuadra e Dallasit ka publikuar një komunikatë nëpërmjet së cilës pohon se nuk mund ta komentojnë ngjarjen me urdhër të autoriteteve federale.