UASHINGTON – Çdo vit ekspertë të shëndetësisë, drejtues dikasteresh dhe aktivistë mblidhen për të diskutuar sfidat e kujdesit shëndetësor global dhe ndihmesën që mund të japë teknologjia moderne për zhgjidhjen e këtyre sfidave. Takimi i sivjetshëm u zhvillua këtë muaj në Uashington dhe përqëndrohej në përdorimin e celularëve për të ndihmuar pacientët në vendet në zhvillim. Konferenca vjetore grumbulloi në Uashington ekspertë të sektorit privat, organizatave joqeveritare, qeverive dhe industrisë së teknologjisë.
        
Patricia Mechael është drejtoreshë e Aleancës mHealth dhe synon të shfrytëzojë kapacitetet që ofron teknologjia e telefonisë celulare për të zgjidhur krizat e shëndetësisë. Ajo shpjegon se ndërkohë që bota ka sot 7 miliardë banorë, ka gjithashtu rreth 6 miliardë numra celularësh. Kontinenti afrikan po përjeton rritjen më të shpejtë të këtij sektori dhe kjo teknologji mund të ofrojë shumë ndihmë në përgjigje të sfidave të shëndetit të nënës e fëmijës:

“Fillimisht puna u përqëndrua në efektin që mund të ketë telefonia celulare në luftë kundër virusit HIV dhe Sidës. Kemi përvojë të pasur në mënyrën se si kjo teknologji ndihmon për të ndjekur regjimin e mjekimit. Më pas u përdor edhe në luftë kundër malaries dhe tuberkulozit”. 

Kirsten Gagnaire, drejtoreshë e Aleancës Celulare për Veprim për Shëndetin e Nënës shpjegon se çdo vit rreth 3 milionë foshnje vdesin nga probleme që shfaqen gjatë shtatzanisë apo gjatë lindjes. Pjesa më e madhe e këtyre vdekjeve, që regjistrohen në vendet në zhvillim, janë të parandalueshme nëse ka qasje tek informacioni i nevojshëm. Organizata e saj, shpjegon zonja Gagnaire, u dërgon mesazhe nënave, përmes telefonave celularë, për t’i informuar mbi shëndetin e tyre dhe të foshnjave:
               
Sfida kryesore në këto përpjekje është shfrytëzimi i informatave gjithnjë e më të pasura për t’i shërbyer kujdesit për pacientin dhe përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore.