Mbrëmë rreth mesnatës, disa persona janë mbledhur para selisë së EULEX-it në Prishtinë, pas përfundimit të protestës së mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Të pranishmit kanë qëndruar për një kohë para selisë së misionit evropian, ku kanë brohoritur, ndërsa më pas është hedhur edhe një mjet piroteknik.

Grupi i protestuesve kishte mbërritur para EULEX-it pas përfundimit të protestës para Qeverisë, duke vazhduar atje revoltën e tyre pas vendimit për dënimin e liderëve të UÇK-së në Hagë me 81 vjet burgim.

Më herët ata kishin protestuar para godinës qeveritare, të cilën e dëmtuan duke e goditur me gurë, ndërsa një prej tyre u arrestua.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën dje aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Të katër janë shpallur fajtorë për një sërë krimesh lufte dhe janë dënuar me gjithsej 81 vite burgim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, edhe Jakup Krasniqi me 25 vite burgim. Ndërsa Kadri Veseli me 18 vite burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim.