Një javë më parë gazeta “Dyrrah”, në një shkrim të saj, pasqyroi situatën mjaft të vështirë të krijuar në terminalin e konteinerëve në portin e Durrësit si pasojë e daljes jashtë funksionit të tre prej katër reach stacker-ve të Autoritetit Portual. Javën që sapo u mbyll situata u komplikua edhe më shumë dhe puna u bllokua plotësisht në terminalin e konteinerëve, sepse i vetmi mjet pune ende në funksion pësoi defekt teknik.

Mjetet në fjalë kryejnë zhvendosjen dhe stivadimin e konteinerëve dhe njëkohësisht angazhohen në ngarkimin dhe shkarkimin e tyre nga anijet. Në mungesë të tyre procesi i punës bllokohet totalisht. Ditën e hënë dhe të martë transporti i konteinerëve nga porti i Durrësit drejt destinacionit final u pezullua, pasi asnjë reach stacker nuk ishte në gjendje pune.

Shoferët e kompanive të transportit, kryesisht nga Maqedonia dhe Kosova, të cilët kalojnë tranzit nga porti i Durrësit bënë me dije se qëndruan dy ditë në pritje të rinisjes së punës. Këto vonesa në kohë përkthehen në kosto shtesë për biznesin, pasi malli qëndron i bllokuar në port. Në ditët e para të javës së kaluar ishin mbi 100 kamionë dhe trajlera që qëndronin në pritje.

Në mungesë të mjeteve të Autoritetit Portual kompanitë që operojnë në këtë fushë kanë sjellë në terminal mjetet e veta për të përshpejtuar procesin e ngarkim-shkarkimit dhe transportit të konteinerëve.  

Reagimi i Autoritetit Portual

Në kohën kur puna në terminal ishte bllokuar për rreth 36 orë dhe gazeta “Dyrrah” denoncoi faktin se vetem një nga katër mjete ishin në punë, Autoriteti Portual reagoi me anë të një njoftimi për mediat ku sqarohej se “përpunimi i konteinerëve në automjete do të rifillojë, pasi të përfundojë proçesi i zëvëndësimit të gomave për dy mjetet risteker (përpunues konteinerësh në shesh).

 

Shoferët e kompanive të transportit, kryesisht nga Maqedonia dhe Kosova, të cilët kalojnë tranzit nga porti i Durrësit, bënë me dije se qëndruan dy ditë në pritje të rinisjes së punës. Në ditët e para të javës së kaluar ishin mbi 100 kamionë dhe trajlera që pritën për mëse 36 orë

Sipas burimeve zyrtare nga APD, të gjitha mjetet e tjera të përpunimit në sheshin e kontejnereve aktualisht janë në punë ose në gatishmëri. Dy vinxhat e mëdhenj të përpunimit të anijeve, dy lefterakët e lëvizjes së konteinerëve dhe një mjet për ulje-ngritjen e konteinerëve bosh vijojnë normalisht punën. Zëvendësimi i gomave të dy ristekerave është një proçedurë e domosdoshme, e cila ka penguar përkohësisht ngarkimin dhe shkarkimin e konteinerëve nga kamionët. Puna normale e ristekerave do të rifillojë brenda orës 15.00 të së martës. 

Në kalatën e kontejnerëve aktualisht nuk ka anije në proçes përpunimi”. Sipas Autoritetit Portual zëvendësimi i gomave të reach stacker-ve ishte shkaktari i pezullimit të punës, megjithëse situata e vështirë vazhdonte që nga muaji maj dhe asnjë masë nuk ishte marrë në këtë drejtim.

Situata në terren

Në fundjavë ishim sërish në terminalin e konteinerëve për të parë nga afër ecurinë e procesit të punës aty. Ngarkim-shkarkimi i konteinerëve dhe transporti i tyre realizohej me dy reach stacker, një  është në pronësi të Autoritetit Portual të Durrësit dhe tjetri në pronësi të kompanisë CARGOTEC, e cila ka lidhur kontratë me portin e Durrësit, për të kryer këtë shërbim.

Kompania Cargotec, në bazë të kontratës së nënshkruar me portin e Durrësit, duhet të ketë në gjendje pune 3 mjete, por sipas burimeve zyrtare nga kjo kompani, një prej këtyre mjeteve është në riparim, ndërsa një mjet tjetër pritet të mbërrijë nga Austria.  

2 vjet më parë Autoriteti Portual i Durrësit i dha kompanisë “Kurum” terminalin e konteinerëve me koncension për 35 vjet, por kjo kompani deri tani nuk e ka nënshkruar kontratën e marrjes në dorëzim të terminalit.