Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit.

Për Tetorin Rozë, nga sot e deri në datë 31, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale zhvillon një fushatë ndërgjegjësimi me moton: “Vrapo për jetën!”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bashkë me kampionen e atletikës, Luiza Gega, i bëjnë thirrje të gjitha grave e vajzave, të mos neglizhojnë kontrollin e gjirit.h

Ministrja Manastirliu:

“Jemi bashkë me kampionen tonë Luizën, për t’i bërë thirrje të gjitha grave dhe vajzave, që në këtë Tetor Rozë, të marrin pak kohë për t’u kujdesur për veten; për të kryer kontrollin periodik dhe mamografinë.

Në Tiranë por edhe në spitalet rajonale dhe përmes mamografisë së lëvizshme, kemi garantuar shërbimin e mamografisë, një ekzaminim që ofrohet falas për çdo grua, në çdo ditë të vitit.

Tumori i gjirit është plotësisht i trajtueshëm nëse diagnostikohet në kohë dhe ne kemi garantuar terapitë falas për çdo grua. Nxito të bësh mamografinë! Bëhu dhe ti kampione e shëndetit!”

Kampionia e Europës në atletikë, Luiza Gega iu bashkua kauzës me mesazhin:

“Jemi bashkë për të çuar zërin tonë te çdo grua! Mos e lini për nesër kujdesin për veten. Bëje mamografinë sot! Kontrolli i hershëm shpëton jetën!”

Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e Zonja e Parë mbështesin përpjekjet për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, në kuadër të gjithëpërfshirjes së aktorëve institucionalë dhe shoqërisë për këtë çështje me rëndësi jetësore. Përmes një mesazhi sensibilizues, Zonja e Parë, Armanda Begaj i drejtohet të gjitha grave shqiptare, familjeve të tyre dhe shoqërisë në tërësi:

“Gratë nuk lindin të forta, ato bëhen nga stuhitë nëpër të cilat kalojnë. Fushata ndërkombëtare “Tetori Rozë” është një nismë ndërgjegjësuese dhe solidariteti për të gjitha gratë, veçanërisht për ato që përballen me sfidën e madhe të luftës ndaj kancerit të gjirit.

Unë i bashkohem me zemër kësaj nisme për ta jetuar Tetorin si muajin e solidaritetit dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, sepse gjithnjë e më shumë ka vend për optimizëm, sepse gjithnjë e më shumë gra po e mundin kancerin e gjirit përmes depistimit, kontrollit periodik dhe zbulimit të hershëm të këtij armiku të jetës.

Ndaj në këtë muaj dhe jo vetëm, le të ftojmë njëra-tjetrën, të afërmit dhe miqtë tanë që t’u gjendemi pranë nënave, bashkëshorteve, motrave, bijave e mikeve, të flasim për rëndësinë e madhe të informimit, edukimit dhe parandalimit. Le t’u gjendemi pranë me mbështetje, inkurajim, optimizëm dhe energji pozitive. Sepse një grua e shëndetshme do të thotë një familje e lumtur dhe një familje e lumtur do të thotë një shoqëri e shëndetshme! Së bashku për jetën!”