KORCE, 30 mars 2013 – Skënderbeu dhe Teuta kanë ndarë nga një pikë mes njëra-tjetrës në përballjen e shumëpritur, ndërsa vijojnë të mbajnë të njëjtën distancë prej 11 pikësh, duke qenë se edhe Flamurtari nuk shkoi më shumë se një barazim në fushën e tij me Besën. Në fakt të dyja ndeshjet kanë përfunduar me rezultatin e bardhë 0-0.
Ndeshja Skënderbeu-Teuta
Superpërballja ka nisur mirë për të dyja skuadrat, të cilat kishin qëllimet e tyre në këtë sfidë. Durrsakët konfirmuan se janë një skuadër mjaft e fortë dhe shumë e vështirë për t’u mundur sidomos në transfertë. Si Skënderbeu ashtu dhe Teuta kanë patur rastet e tyre për shënim, por repartet ofensive të të dyja skuadrave kanë qenë në një ditë mjaft të mirë, duke bërë që portierët respektivë të mos e nxjerrin asnjëherë topin nga rrjeta.
Pjesa e parë ka qenë e balancuar, ndërsa në të dytën loja është bërë me e shpejtë dhe e rrezikshme. Pavarësisht rasteve për shënim superpërballja u mbyll me rezultatin e bardhë 0 me 0.
Skënderbeu vazhdon të mbajë vendin e parë, Teuta pozicionohet në të dytin, ndërsa vendin e tretë e mban Flamurtari. Ky i fundit kishte mundësi të parakalonte Teutën, por nuk mundi të fitonte në Vlorë ndaj Besës.
Në përfundim të takimit trajnerët respektivë Josa dhe Magani deklaruan
Magani: Ishte një ndeshje shumë e vështirë, kështu që jemi të kënaqur edhe me barazimin. Skuadra thuajse nuk gaboi në asnjë moment dhe luajti në mënyrë perfekte. Mund të kishim marrë më shumë nga kjo përballje, por nuk u treguam të qetë përpara portës. Gjithsesi duke marrë parasysh edhe kundërshtarin që kishim përballë do ta quaja një ndeshje perfekte. Doja të falenderoja të gjithë lojtarët për cka dhanë në fushën e lojës. Tashmë na presin të tjera sfida, prandaj duhet të përqëndrohemi tek ato.
Josa: Tekniku korçar nuk ndan të njëjtin mendim me kolegun e tij dhe është shprehur i pakënaqur nga loja e skuadrës së tij. “Shpresonim të fitonim dhe të merrnim tre pikët në këtë takim, por nuk ia dolëm dot. Kundërshtari bëri një paraqitje perfekte dhe i bllokoi të gjitha aksionet tona sulmuese. Pjesën e parë skuadra ishte më mirë, ndërsa në të 45 minutat e dyta loja e saj ra ndjeshëm. Kishim edhe disa mungesa, të cilat na kushtëzuan. Gjithsesi, duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë ndeshje dhe të rikthehemi tek fitorja duke nisur që nga ndeshja e radhës.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





