Teuta ka fituar 78-77 ndaj Tiranës në finalen e Superkupës në basketboll për meshkuj, suksesi i parë i ekipit durrsak në këtë event. Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ka qenë mjaft dramatike, emocionuese dhe me rivalitet deri në sekondën e fundit, me të dyja skuadrat që e kërkuan fitoren. Emri i ekipit fitues mbeti i hapur deri në sekondën e fundit, një trofe që mund të shkonte edhe te bardheblutë, por që gabuan në fund.

Kjo është humbja e parë “zyrtare” e Tiranës në fushë, që në kampionat apo Kupë nuk kishte pësuar asnjë humbje (ka humbur 20-0 derbin me të kuqtë në tavolinë), duke qenë gjithnjë superior. Madje bardheblutë patën fituar 3 ditë më parë edhe sfidën e prapambetur me durrsakët, por këtë herë nuk ia dolën mbanë të ngrejnë lart trofeun, që i takoi Teutës, një sukses fantastik për durrsakët, që e komanduan ndeshjen gjatë gjithë kohës.

Ndeshja nis mirë për ekipin durrsak që në minutat e para, pasi basketbollistët vendës, të mbështetur edhe nga tifozët e shumtë në pallatin e sportit, janë më të karikuar, duke u shkëputur 15-17 pas pak minutash. Tirana është gjithnjë në ndjekje, por “djemtë e detit” udhëheqin 18-13 në mbyllje të çerekut të parë, diferencë që rritet edhe më shumë në 10-minutëshin e dytë. Teuta ka vazhdimisht komandën e lojës, duke luajtur mirë dhe përfituar nga një norviziëm i lojtarëve bardheblu, që shpesh ankohen për gjykimin. Pjesa e parë mbyllet 37-29 për Teutën.

Teuta nuk e ul ritmin as në çerekun e tretë, arrin të përballojë me sukses sulmet e Tiranës, që herë afrohet e herë largohet në pikë ndaj durrsakëve. Në këtë periodë regjistrohet edhe një teknike për trajnreit Doukas, që ka ankesa për gjykimin. Gjithsesi, bardheblutë nuk tërhiqen, që rikuperojnë në sekondat e fundit dhe barazojnë shifrat në 56-56 pas 30 minutash lojë, duke e bërë mjaft interesante çerekun e fundit.

Loja ka luhatje në 10-minutëshin e fundit, fillimisht me Teutën që shkon në +7 pikë, 64-57 e më pas me Tiranën që rikuperon deri në 1 pikë, 74-73, por pa mundur t’i barazojë shifrat. Loja bëhet tejet dramatike në sekondat e fundit, me Tiranën që ka dy raste për të shënuar e fituar, por pa sukses, ndërkohë që Teuta fiton 78-77, duke nisur festën me tifozët e saj, që mësyjnë fushën. Në kahun tjetër, Shima tejet i nervozuar nuk pranon fitoren, duke kërkuar një faull ndaj tij sekondën e fundit, në rebaundin nën tabelë. Por gjithçka është e mbyllur, me durrsakët që festojnë këtë fitore dhe trofe.