Skënderbeu dhe Teuta e kanë mbyllur këtë sezon të Superiores me një barazim 0-0. Me këtë rezultat Teuta dhe Skënderbeu e mbyllin respektivisht në vendin e 6-të dhe të 10-të këtë sezon të Superiores, me korçarët që rrëzohen në Kategorinë e Parë. Në këtë ndeshje Sebino Plaku vendosi ta mbyllë me futbollin e luajtur, duke “varur këpucët në gozhdë” pas plot 19 vite karrierë si profesionist. Sulmuesi kryeqytetas, arriti të vishte fanellën e 17 skuadrave shqiptare dhe të huaja, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë sport magjik.

Korça ishte stacioni i fundit i Plakut në futbollin e luajtur. Ai u hodh në fushën e lojës në minutën e 59-të, duke zënë vendin e Dacit, duke regjistruar kështu minutat e fundit në futbollin aktiv. Në prononcimin pas ndeshjes ndaj Skënderbeut, futbollisti i Teutës, që arriti të fitonte shumë trofe me skuadra të ndryshme, deklaroi:

Skënderbeu ka qenë një nga stacionet më të bukura të karrierës tuaj. A mbetët i befasuar nga pritja që ju bënë sot?

E vërtetë. I falënderoj, sepse ishte diçka e paparashikuar. Nuk kisha pritshmëri, por ishte një surprizë shumë e bukur, ndaj i falënderoj. Ishte një tufë lule dhe një fanellë e klubit ku unë kam qëndruar për shumë vite, diçka shumë e bukur.

A mendoni se ishte momenti i duhur për t’u ndalur?

Të them të drejtën asnjëherë nuk e kam gjetur momentin e duhur për të ndalur, por situata erdhi në mënyrë të atillë, që të vendos ta mbyll me futbollin e luajtur, pasi më pret diçka tjetër. Për fat ndalesa erdhi në Korçë, një qytet ku kam qëndruar shumë gjatë dhe kam kaluar shumë mirë.

Cila ka qenë pika më kulmore e karrierës tuaj?

Unë vazhdoj të jem i emocionuar dhe mendoj që te Skënderbeu jam ndjerë më mirë, pasi kam ndenjur më gjatë dhe kam pasur shumë suksese. Vetë koha e gjatë e qëndrimit, tregon se kam qëndruar gjatë.

A ka një Sebino Plaku tjetër në Abissnet Superiore?

Futbolli ka ndryshuar, por secili ka pjesën e tij individuale dhe duhet të mendoj për këtë pyetje. Megjithatë uroj që të ketë edhe të tjerë me një karrierë si unë.

Çfarë ju pret pas kësaj karriere si futbollist?

Nuk është aspak sekret, pasi të gjithë eksperiencën që kam grumbulluar ndër vite, duhet ta ushtroj diku. Do të mbetem në këtë sport, por jo më si futbollist aktiv.