Teuta dhe Tirana janë dy skuadrat shqiptare që do të luajnë në edicionin e radhës së Ligës Ballkanike të basketbollit për meshkuj, lajm që konfirmohet nga BIBL përmes faqes së saj zyrtare. Për Tiranën ky do të jetë viti i tretë radhazi që luan në këtë turne Ballkanik, ndërsa për Teutën ky do të jetë debutimi i saj në këtë event. Kjo është hera e parë që Shqipëria merr pjesë me dy skuadra në Ligën Ballkanike, ndërkohë që skuadra e parë shqiptare që ka debutuar në këtë turne ka qenë Vllaznia.

Drejtuesit e Ligës Ballkanike konfirmojnë se Tirana ka plotësuar dekumentacionin e nevojshëm për të marrë pjesë në këtë event, ku sezonin e fundit, bardheblutë arritën 3 fitore dhe u renditën në vendin e gjashtë në sezonin e rregullt (Tirana u eliminua në play off nga bullgarët e Levski Lukoil).

Surprizë është pjesëmarrja e Teutës në këtë event, e cila do të tentojë të shkruajë emrin në këtë event, ku vjet rivalizoi për titullin kampion me bardheblutë deri në finalen e pestë të play off-it.

Liga Ballkanike konfirmon se deri më tani janë 7 ekipet që kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në edicionin 2018-2019 të BIBL. Përveç Tiranës dhe Teutës, ekipet e tjera që kanë zyrtarizuar praninë e tyre janë edhe dy ekipet bullgare të BC Akademic Bultex e BC Beroe, dy ekipet maqedonase të KK Kuzov dhe KB Shkupi si dhe kosovarët e KB Bashkimi