Përmbysje spektakolare 2-3 e Teutës ndaj Dinamos, në “Elbasan Arena”,  në sfidën e vlefshme për elitën. Takimi filloi “zjarr” që në minutat e para. Ishin dinamovitët që reklamuan penallti në minutën e pestë, pas një rrëzimi të Denisson në zonë. Gjithsesi, një pengesë e tillë nuk u konsiderua si për 11-metërsh, me lojën që vijoi normalisht. Pak më vonë, Daci provoi nga distanca, por pa mundur dot të zhbllokojë shifrat në favor të durrsakëve.

Në minutën e 32-të, një top i kthyer nga shtylla bën që Kaçorri ta ketë lojë fëmijësh për të dërguar topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll me Dinamon në avantazh, ndërsa pjesa e dytë ishte edhe më emocionuese.

Denisson dyfishoi shifrat në fillimin e fraksionit të dytë, duke e bërë përmbysjen mision të vështirë për Teutën, por jo të pamundur.”Djemtë e Detit” ngushtuan shifrat në minutën e 73-të, me Peposhin, ndërsa vendosën ekuilibrat në të 85-tën me anë të Filit. Në limite, ekipi i Martinit realizoi golin e fitores me Jazxhi.

Dinamo mban vendin e fundit në tabelë, ndërsa Teuta pozicionohet në vendi ne 8-të.