Ditët e 5 dhe 6 marsit ishin festë në Drenicë-Skënderaj të Republikës së Kosovës. U kujtua akti heroik i komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe epopeja e lavdishme e UÇK-së. Me këtë rast në Drenicë, u organizua një kupë në volejboll për meshkuj ku morën pjesë ekipet e Liria të Tetovës, Theranda e Suharekës, Drenica-Skënderaj dhe Teuta e Durrësit. Ekipi i Teutës është nisur nga Durrësi me 4 mars dhe në drekë është pritur në mënyrë vëllazërore nga homologët e tyre të Ferizajt. Në bazë të kalendarit të përcaktuar nga organizatorët, Teuta luajti në ndeshjen e parë me 5 mars ndaj Liria të Tetovës.  Fitorja ishte e thellë 3-0 dhe me pikë të pakta për ekipin Liria. Ndeshja e dytë Theranda-Drenica u fitua nga vendasit 3-1. Me interesim të madh u prit ndeshja finale ndërmjet Teutës dhe Drenicës. Trajneri maqedonas Nakovski aktivizoi në 6-shen e parë: Milev, Trajçevski,Moku, Liti, Myftari dhe Nazifi. U aktivizuan edhe Kola, Jurgen dhe Aldo Dashi,Kola, Uruçi dhe Jukni. Teuta luajti e sigurt gjatë tërë kohës dhe nuk u rrezikua të humbiste qoftë edhe një set. Sipas sekretarit të klubit shumësportesh, Emilian Jani, Teuta luajti shumë e mobilizuar dhe e vendosur për të sjellë në Durrës, kupën e vënë për nder të heroit të Kosovës Adem Jashari. Dhe e realizoi qëllimin. Ajo e fitoi takimin 3-0 dhe të tria setet me rezultatin 25-19, 25-20 dhe 25-16. Pas mbarimit të aktivitetit, për ekipet pjesëmarrëse ushtrua edhe një koktej, ku u fol për luftën dhe përpjekjet e popullit të Kosovës në luftën për lirë dhe pavarësi kombëtare.