2 gusht 2015 – Futbollistët gjatë kësaj periudhe punuan në kushte shumë të mira dhe u testuan në pesë ndeshje miqësore ndaj ekipeve greke dhe atyre bullgare. Stafi teknik i ka cilësuar paraqitjet dinjitoze, teksa evidentohet një mbrojtje e konsoliduar dhe një sulm që jep siguri për këtë ekip. Pas ngarkesave të larta, fundjava është bërë pushim absolut, ndërsa e hëna do ta gjejë Teutën sërish në fushë, por këtë herë në Durrës. Nuk do të ketë shumë qetësi për ekipin, pasi fillojnë përgatitjet për triangolaren e datës 7 gusht, që do të luhet kundër Partizanit dhe Frozinones. Në këtë kompeticion “luksi”, skuadra do ta shfrytëzojë harmonizimin e grupit para startit të kampionatit. 

Fillimi i javës do të shoqërohet me të reja edhe nga merkato. Drejtuesit i mëshojnë faktit që nevojiten lojtarë për të përforcuar krahët dhe sidomos atë të djathtin. Në plane është edhe Kërçiku i Tiranës, por ende nuk mund të flitet për diçka konkrete. Me këtë afrim përmbushen edhe kërkesat e numrit një të pankinës durrsake, i cili do ta nisë Superioren me një ekip pothuajse të rinovuar.

Teuta ka pësuar shumë ndryshime në organikë, duke zëvendësuar pothuajse një pjesë të mirë të kontingjentit në të gjitha repartet. Porta ka mbetur e paprekur në fakt, ku Rizvani vazhdon të jetë titullar dhe të jap garanci. Ndërsa sulmi, sipas të gjitha gjasave, do t’i besohet Gashit dhe Maganit, të cilët kanë shfaqur formë mjaft të mirë në ndeshjet e zhvilluara duke qenë efektivë edhe me golat. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/