Teuta e Edi Martinit luan të dielën në stadiumin e Rrogozhinës në orën 14:00, teksa do të sfidojë kryesuesit aktualë të Superiores, Egnatian. Kujtimet nga fusha e Rrogozhinës janë të mira për “djemtë e detit”, pasi në dy sezonet e fundit gjithnjë ia kanë dalë të marrin rezultate pozitive.

Në klub shpresojnë që të nisin një cikël me rezultate pozitive dhe t’i largohen fundit të klasifikimit, duke filluar nga takimi i radhës, por në të njëjtën kohë janë të ndërgjegjshëm se i pret një prej përballjeve më të forta.

Gjithsesi, historia ka folur për Teutën dhe fakt është që në 12 ndeshje mes tyre, Egnatia ka fituar vetëm një herë, ndërsa 9 triumfe u takojnë durrsakëve. Në dy raste ndeshjet kanë përfunduar në barazim.

Në katër takimet e kampionatit të kaluar, Teuta triumfoi dy herë, ndërsa dy ndeshjet e tjera u mbyllën 1-1. Fitorja e parë dhe e fundit e rrogozhinasve është më 23 dhjetor 2021, teksa mundën Teutën 2-1 në fushën asnjanëse të Elbasanit.

Për ndeshjen me Egnatian, Martini do të ketë të gatshëm portierin Endri Dema, i cili mungoi ndaj Kukësit për shkak të kartonit të kuq që mori në Shkodër kundër Vllaznisë.