Lajme optimiste vijnë edhe nga ekipi i peshëngritjes, që drejtohet nga trajneri me përvojë Besnik Psatha. Një kombinim nën siglën e Teutës i një grupi peshëngritësish tre prej të cilëve edhe nga shkolla e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia”, pritet të japë rezultate nga më të mirat e viteve të fundit. Në sfondin e gjallërimit thuajse të të gjitha sporteve në klubin shumësportesh Teuta, peshëngritja po fiton terrenin e duhur. Peshëngritësit Admir Smoqi, Gerian Tuda, Elson Muharremi, Bruno Muho, Ardian Murataj dhe Erind Prendi janë bashkuar në qëllimin e vetëm, për të sjellë më në fund titullin kampion në Durrës. Kampionati kombëtar i peshëngritjes për të rritur, zhvillohet me 3 mars në qytetin e Elbasanit dhe pritet një rivalitet i dukshëm ndërmjet ekipeve pjesëmarrëse. Ajo që vlen të veçohet janë objektivat, me të cilat kanë punuar peshëngritësit durrsakë gjatë periudhës përgatitore. Veçanërisht peshëngritësi Elson Muharremi, ndonëse në moshë 18 vjeçare kërkon të klasifikohet i pari në peshën 66 kg. Teuta është kampione kombëtare edhe për të rinj në vitet 2010 dhe 2011. Suksesi që kërkon të realizojë Teuta, i jep meritë edhe ish-peshëngritësit të njohur, trajnerit të moshave Kreshnik Leka, që bashkëpunon me teknikun Psatha. Në konkurrimin e 3 marsit, peshëngritësit e Teutës dhe trajneri i tyre Besnik Psatha, kërkojnë të ripërtërijnë traditën e vyer të Durrësit në sportin e hekurave ku në vite kanë spikatur protagonistë të tillë si Erlin Nikolla, Fatmir Shyti, Përparim Mustafaj, Qamil Qato etj.