Teuta është zyrtarisht në kërkim të një trajneri të ri, pasi Edi Martini nuk është më pjesë e skuadrës durrsake. Tekniku ka dhënë dorëheqjen pas sfidës së humbur me Partizanin, duke lënë ekipin kampion në fuqi larg kreut, por duke u larguar si askush tjetër para tij në këtë klub sa u përket trashëgimisë së trofeve të fituar.

Kur Teuta vendosi t’i besonte drejtimin e skuadrës Edi Martinit në dhjetorin e vitit 2019, pakkush besonte se në dy vite, ky klub do të përjetonte epokën më të suksesshme të historisë së tij. Durrsakët deshën të ishin protagonistë në luftën për titull që në edicionin 2019-2020, por në fund ia dolën të bënin të tyren vetëm Kupën e Shqipërisë, duke mundur në finale Tiranën.

Pak javë më vonë, nën drejtimin e trajnerit shkodran, erdhi edhe trofeu i dytë radhazi, Superkupa e Shqipërisë, si dhe premtimi se titulli do të ishte më afër. Premtimi u mbajt dhe në fund të një sezoni me shumë ulje-ngritje në Superiore, Teuta fitoi për herë të dytë në historinë e saj titullin kampion.

Në verë, erdhi trofeu i katërt për teknikun, Superkupa e radhës në finalen kundër Vllaznisë që la të mendohej se skuadra e Martinit do të ishte përsëri dominuese. Por starti i mirë i kampionatit u pasua me një seri ndeshjesh me rezultate zhgënjyese e “kapaku” u vu me ndeshjen e humbur në shtesë përballë Partizanit.

Edhe pse fillimisht Martini nuk la të kuptohej se mund të merrte vendimin për largim, pak orë pas sfidës ai e bëri publik atë, duke dhënë dorëheqjen, por duke i dhënë lamtumirën klubit si trajneri më i suksesshëm i historisë së klubit durrsak.