Kosova ka shpallur person të padëshirueshëm ministren serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin në territorin e saj.
Vendimi vjen pas deklaratave të ministres serbe, e cila tha se, nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se ka nënshkruar vendimin për ndalimin e përhershëm të hyrjes së Paunoviçit në Kosovë.
Sipas tij, deklaratat e ministres serbe përfaqësojnë vazhdimësi të retorikës së projektit të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve dhe bien në kundërshtim me vlerat demokratike dhe paqen në rajon.
Sveçla kujtoi se ky projekt u zbatua gjatë regjimit të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për të rikthyer ideologji të tilla apo për të kërcënuar Kosovën do të marrë përgjigje përmes institucioneve dhe ligjit.
Reagimi i autoriteteve kosovare erdhi pasi Snezhana Paunoviç, gjatë një interviste për televizionin serb Kurir, tha se po të kishte qenë në vend të Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.





