Trabzonspor luajti mbrëmjen e djeshme ndeshjen e parë me eliminim direkt në Conference League kundër Baselit, ndaj të cilit fitoi me rezultatin 1-0.

Të gjithë vëmendjen e mori koreografia speciale e klubit turk.

Ata shpalosën një figurë të madhe, në të cilën dukej qartë një pjestar i forcave të shpëtimit që mbante në krahë një foshnjë, që e kishte shpëtuar nga rrënojat e tërmetit të madh që preku Turqinë, një qen i forcave të shpëtimit, i cili mendohet të jetë qeni i shtetit të Meksikës që dha jetën duke gjetur dhjetra njerëz me shenja jete dhe një dorë, e cila del nga rrënojat dhe mban flamurin e shtetit turk.

Në helmetën e personit të forcave të shpëtimit shihen flamujt e shteteve të cilat kanë ndihmuar Turqinë dhe qartë duket edhe flamuri i Shqipërisë.

Në momentin që kjo koreografi u shfaq në tribunë, pjesa tjetër e tifozëve mbanin në duar nga një flamur turk duke krijuar një atmosferë tepër emocionuese për të gjithë.