Java e 16-të e Kampionatit Kombëtar në Basketboll për femra riktheu duelet e mëdha mes ekipeve pretendente për titull, ku në sallën e re të Akademisë së Goga Basket, skuadra e Tiranës fitoi 88-84 ndaj ekipit vendës.

Një ndeshje e dominuar nga basketbollistet bardheblu, që patën epërsi gjatë gjithë kohës, duke u shkëputur 30-13 që në periodën e parë.

Me kalimin e minutave, skuadra durrsake nis gradualisht të rikuperojë dhe rihap ndeshjen, por Tirana ka gjithnjë nën kontroll lojën dhe administron me kujdes avantazhin, duke u shkëputur sërish.

Përpjekjet e ekipit të Gogës për të përmbysur shifrat në fund nuk kanë rezultat, ndaj Tirana fiton 88-84 dhe ngjitet në vendin e dytë, me pikë të barabarta me durrsaket.