Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Uashington, ku një person i armatosur vrau tre persona duke hapur papritmas zjarr në një mini market. Incidenti u regjistrua në qytetin Yakima, në orën 3.30 të mëngjesit të së martës.

Sipas informacioneve nga policia lokale, autori është identifikuar dhe është 21-vjeçari Jared Haddock. Autoritetet, të cilat kanë publikuar një foto të sulmuesit, e cilësojnë atë si të rrezikshëm në një kohë kur nuk dihen motivet e sulmit që ai ka nisur. 21-vjeçari ende nuk është arrestuar, ndërsa kërkimi po vijon.

Rrugët përreth vendit ku ndodhën të shtënat ishin mbyllur më herët, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme janë “ngritur” edhe dronë. Dy viktima u qëlluan brenda dyqanit, ndërsa një i tretë u qëllua jashtë.

I dyshuari më pas vrapoi nëpër rrugë në një pikë karburanti ku qëlloi një person tjetër brenda një makine. Ende nuk dihet gjendja e personit të plagosur nga të shtënat.

“Duket një ngjarje e rastësishme. Nuk ka pasur asnjë konflikt”, tha shefi i policisë.

Vërehet se ky është incidenti i tretë i madh me të shtëna në një javë në SHBA. Në një klub nate në Luiziana. u qëllua 48 orë më parë ku si pasojë mbetën të plagosur 12 persona ndërsa pak ditë më parë humbën jetën 10 persona nga të shtënat në një studio kërcimi në Los Angeles.