Nga Vali Qyrfyçi
Na ishte seç na ishte. Na ishte një pilot i huaj që një ditë të bukur shtatori u ngrit në fluturim. Gaboi rrugë e ngriti një tymnajë të re. Jo vetëm që ndërroi mendje në fluturim e sipër, po kapërceu dhe kufijtë shtetërorë dhe krejt papritur ngeli në ajër, si me krahë të prerë. Me forcat e veta dhe sytë e sprovuar të një njeriu me gati 7 dekada mbi supe, piloti u ul mbi një hapësirë të rrethuar mes një bimësie të dendur. Zgjodhi një zonë të bekuar, të arritshme për kultivuesit e bimës magjike të Krujës, Kurbinit dhe Ishmit. Mund të bëhej dhe i pasur, po nuk i eci. Disa thonë që zhurma që shkaktoi ndihmoi dikë të tjetër të ulet e ngrihet në fluturim ndërkohë.
Disa banorë të zonës tregojnë se avioni u ul pasi bëri disa rrethrrotullime në ajër. Një tjetër thotë se më pas u ngrit sërish për të realizuar një skenar të paramenduar rrëzimi, në rast se gjërat nuk rridhnin ashtu si ujërat e Ishmit në det. Përralla vazhdon dhe ofrohet në versione të ndryshme, ndërsa fundi ende nuk është shkruar. Piloti vetë i qëndron besnik versionit të një shëtitjeje ajrore turistike, që ndonëse në kohë të bukur, shkoi keq. Nuk kishte as leje fluturimi. E kish “neglizhuar”. Pas krahëve ka një histori mashtrimi dhe korrupsioni për të mbyllur një aksident tragjik ajror në vendin e tij, Italinë fqinje.
Mëngjesin e së enjtes një avion i vogël u ul në një zonë të izoluar të grykëderdhjes së Ishmit. Larg shtëpive të banimit, larg syve të njerëzve dhe rrugës, po e rrafshët. E denjë për të pritur e përcjellë avionë të përmasave të vogla, që nuk dihet pse zgjidhnin këtë vendndalim të fshehtë. Autoritetet heshtën deri në çastin kur një nga deputetët e opozitës, edhe ai i gabuar në kohën e uljes së avionit “Piper”, deklaroi se një avion me drogë ishte rrëzuar në Ishëm. Fillimisht policia ngriti supet e tha se po verifikon. Pastaj zyrtarisht pranoi se kishte marrë njoftim për uljen e detyruar të një avioni të vogël rreth orës 08.45. Versioni i deklaruar në njoftimin zyrtar të policisë së Durrësit, që merr si të mirëqenë deklaratën e Guidit, ngre shumë pikëpyetje dhe tingëllon i nxituar.
Kushdo që e njeh sado pak fushën e aviacionit civil e di se nuk mund të ndërrosh mendje gjatë fluturimit, veçanërisht kur kalon në kufijtë ndërkombëtarë ajrorë. Guido Andrea Guidi nuk kishte leje fluturimi në hapësirën shqiptare. Këtë mungesë, ai e ka justifikuar fillimisht me pseudofaktin se ishte në një fluturim turistik me ndryshim të papritur destinacioni, po kjo është një shkelje flagrante e rregulloreve të ngritjes në fluturim të çdo lloji mjeti që duhet të ketë një plan të deklaruar fluturimi. Guidi kishte diçka për të fshehur në këtë udhëtim, ndaj dhe nuk e raportoi defektin e as kërkoi leje për ulje të detyruar. Toka ranore e pistës duket se e ka surprizuar keqazi në ulje mjetin që nuk është krijuar për ulje në çfarëdolloj terreni, duke i shkaktuar dhe dëmtime. Policia nxitoi të thotë se ndryshe nga sa deklaroi deputeti opozitar, në avion nuk kishte ngarkesë të kundërligjshme. Në fakt dyshohet se avioni erdhi për ta marrë atë, por ulja problematike që i dëmtoi njërin nga krahët e anuloi operacionin e fshehtë në Gotull, duke ekspozuar përfundimisht këtë pistë të re të ulje-ngritjeve.
Në Rinas ka një autoritet kontrolli të hapësirës sonë ajrore, por a e diktoi sistemi modern i radarëve të kontrollit këtë shkelje flagrante të hapësirës nga ky mjet fluturues? Nëse jo, apo u mbyll një sy, kush do të mbajë përgjegjësi për këtë? Përpos mosraportimit të defektit, avioni zgjodhi për uljen e padeklaruar një zonë “të bekuar” që njihet për prodhimtarinë e lartë të bimës narkotike kanabis sativa. Jo larg pistës ilegale ka sipërfaqe të shumta, përpos aeroportit ndërkombëtar, për t’u ndalur e marrë shërbim për riparimin e defektit. Në atë humbëtirë, pa asnjë lloj aksesi në infrastrukturë, zor se Guido 69-vjeçar do të gjente servis avionësh, apo çfarëdolloj shërbimi tjetër, përpos ngarkesave të ndaluara e fatlume në fitim.
Edhe në kohën e artë të Lazaratit, qarku i Durrësit, veçanërisht malësia e Krujës dhe Ishmit, renditej në krye të listës së zezë të kultivimit të kanabisit. Dhe përralla Guido & Co vazhdon.





