Të paktën 27 persona kanë humbur jetën dhe mbi 150 të tjerë janë plagosur pas shembjes së çatisë së një klubi nate në kryeqytetin e Republikës Domenikane, Santo Domingo.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një koncerti të këngëtarit të njohur të merengues, Rubby Pérez, në diskotekën e njohur “Jet Set”, një nga lokalet më të frekuentuara të qytetit. Ende nuk dihet shkaku i incidentit, ndërkohë që ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet nën rrënoja.
Presidenti i vendit, Luis Abinader, ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka premtuar një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e tragjedisë.
Vetëm pak javë më parë, një ngjarje e ngjashme tronditi Maqedoninë e Veriut, ku si pasojë e një zjarri në një lokal nate, humbën jetën 61 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.