Pesë zhytës italianë, të gjithë me përvojë të avancuar në zhytje të thella, u futën në ujërat e Maldiveve për një ekspeditë që duhej të ishte rutinë për profesionistë të këtij niveli. Por diçka shkoi keq në më shumë se 50 metra thellësi. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë minutat e fundit të zhytjes në Vaavu, ndërsa po shtohen pikëpyetjet mbi kushtet e detit, procedurat e ndjekura dhe rreziqet ekstreme të zhytjeve teknike në shpella nënujore.
Mes viktimave janë biologia detare Monica Monfalcone, pedagoge në Universitetin e Gjenovës, vajza e saj Giorgia Sommacal, studiuesja Muriel Oddenino dhe instruktorët e zhytjes Gianluca Benedetti dhe Federico Gualtieri. Të gjithë kishin eksperiencë në zhytje të thella, çka e bën edhe më misterioz aksidentin fatal që përfshiu njëkohësisht pesë profesionistë të fushës.
Një nga pistat kryesore që po hetohet lidhet me të ashtuquajturën “narkozë nga azoti”, një fenomen i njohur në zhytjet teknike dhe veçanërisht i rrezikshëm përtej 40 metrave thellësi.
Në 50-60 metra, azoti i pranishëm në përzierjen e frymëmarrjes mund të ndikojë seriozisht në kthjelltësinë mendore, orientimin dhe aftësinë për të marrë vendime. Tek disa zhytës shkakton eufori, ndërsa tek të tjerë konfuzion, ngadalësim të reflekseve ose humbje orientimi.
Në një ambient të mbyllur si shpella nënujore, edhe pak sekonda çorientim mund të rezultojnë fatale. Sipas udhëzimeve të organizatave ndërkombëtare të zhytjes si PADI dhe DAN, zhytjet e thella kërkojnë trajnim teknik të specializuar, planifikim rigoroz dhe procedura emergjence të avancuara.
Zhytjet në shpella konsiderohen ndër më të rrezikshmet në botën e zhytjes. Ndryshe nga zhytjet në det të hapur, në rast emergjence zhytësi nuk mund të ngjitet menjëherë në sipërfaqe. Për këtë arsye përdoret i ashtuquajturi “fili i Ariadnës”, një linjë orientimi që ndihmon në gjetjen e daljes edhe kur dukshmëria është zero.
Problemi lind kur fundi i detit turbullohet nga rrymat ose lëvizjet e pendëve, duke krijuar një re të dendur rëre që e bën ujin të padepërtueshëm për dritën. Në ato kushte, edhe llambat e zhytjes bëhen pothuajse të padobishme.
Sipas elementeve të para të hetimit, grupi mund të ketë humbur orientimin brenda shpellës, duke konsumuar gradualisht rezervat e gazit në përpjekje për të gjetur daljen.
Një tjetër pistë hetimi lidhet me mundësinë e problemeve në përzierjet e frymëmarrjes. Bombolat e përdorura në zhytjet teknike përmbajnë ajër të kompresuar ose përzierje të posaçme si Nitrox, me nivele të kontrolluara oksigjeni dhe azoti. Nëse kompresori që mbush bombolat nuk mirëmbahen siç duhet, mund të ndodhin ndotje me monoksid karboni ose substanca të tjera toksike.
Një helmim i tillë mund të shkaktojë përgjumje, humbje ndjenjash dhe paaftësi për të reaguar. Megjithatë, ekspertë të sektorit e konsiderojnë pak të mundshme që të gjithë anëtarët e grupit të jenë helmuar në të njëjtën kohë, sidomos duke pasur parasysh përvojën e instruktorëve të përfshirë.
Ditën e zhytjes në Maldive ishte lëshuar alarm meteorologjik i verdhë. Rrymat në atolën Vaavu njihen si veçanërisht të rrezikshme, sidomos pranë hyrjeve të shpellave të fundosura.
Ndryshimet e baticës mund të ndryshojnë me shpejtësi sjelljen e ujit brenda zgavrave nënujore, duke krijuar vorbulla dhe flukse të papritura. Në kushte të tilla, edhe një zhytje e planifikuar me kujdes mund të kthehet në një situatë kritike.
Rregulloret lokale zakonisht lejojnë zhytje rekreative deri në 30 metra thellësi. Përtej këtij kufiri hyn në fuqi zhytja teknike, e cila kërkon certifikime të avancuara dhe protokolle shumë më të rrepta sigurie.
Ekspedita e pesë italianëve kishte edhe qëllime shkencore, të lidhura me studimin e faunës dhe ekosistemeve të shpellave detare të atolit. Ky kontekst mund ta ketë shtyrë grupin drejt eksplorimit të zonave që zakonisht nuk janë të aksesueshme për turizmin tradicional të zhytjes.
Aktualisht nuk ekziston ende një version përfundimtar i ngjarjes. Hetuesit do të duhet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për gabime njerëzore, probleme teknike, kushte ekstreme mjedisore apo për një kombinim faktorësh.
Në botën e zhytjes, aksidentet e rënda rrallëherë shkaktohen nga një element i vetëm. Shpesh ato janë rezultat i një zinxhiri ngjarjesh, si thellësi ekstreme, stres, rryma të forta, dukshmëri e ulët, konsum i shpejtë i gazit të frymëmarrjes dhe humbje orientimi.





