Një studim i ri i realizuar në Itali tregoi se përjetimet traumatike gjatë fëmijërisë dhe deri në vitet e para pas adoleshencës, mund të shkaktojnë ndryshime të qëndrueshme në zhvillimin e trurit, me pasoja afatgjata në sjelljen e individit në moshë të rritur, sipas “La Repubblica”.

Kërkimi u krye nga Instituti Italian i Teknologjisë (IIT), në bashkëpunim me Instituti “Giannina Gaslini” në Gjenova, një qendër e specializuar për shëndetin pediatrik dhe kërkimin neuroshkencor.

Sipas studiuesve, nuk është domosdoshmërisht lloji i traumës ai që përcakton pasojat, por koha kur ajo ndodh gjatë zhvillimit të individit.

Traumat e përjetuara në faza të caktuara të jetës, veçanërisht në fëmijëri dhe në vitet e para, pas adoleshencës, mund të ndikojnë në mënyrë specifike në strukturën dhe funksionimin e trurit.

Këto ndryshime lidhen më pas, me shfaqjen e sjelljeve problematike në moshë të rritur, si agresiviteti, depresioni, ankthi dhe vështirësitë në përqendrim.

“Studimi ka treguar se traumat e përjetuara në periudha të caktuara të jetës, kanë ndikim të qëndrueshëm në zhvillimin e trurit dhe në sjelljen afatgjatë”, theksojnë autorët e kërkimit, duke nënvizuar se gjetjet mund të ndihmojnë në përmirësimin e trajtimeve më të personalizuara për çrregullimet neuropsikiatrike.

Studiuesit theksojnë se kjo qasje mund të hapë rrugën për diagnostikim dhe trajtim më të saktë, duke marrë parasysh jo vetëm simptomat aktuale, por edhe historinë e hershme të jetës së pacientit.