Javën e kaluar kjo gazetë ka publikuar dy faqe mbi perspektivat turistike të Durrësit për sezonin veror. E dhëna negative është se ka qenë nënvizuar natyra kronike e shumë problemeve dhe mungesave që pengojnë rëndë zhvillimin turistik të bregdetit durrsak, ndërsa aspekti positiv i kësaj analize është se operatorët turistikë – si edhe një pjesë e mirë e popullsisë – tregohen shumë konkretë dhe realistë, duke folur qartë dhe duke i dhënë fund iluzionit të turizmit të huaj dhe/apo elitar, i ëndërruar për shumë vite nga shtresat më të thjeshta të qytetarëve dhe i ushqyer me cinizëm nga disa administratorë dhe politikanë populistë.

Më ka bërë përshtypje leximi i fjalëve të një operatori, sipas të cilit “Durrësi nuk mund të krahasohet me Dubrovnik, Budva, Korfu apo Ulqin” dhe “tregu turistik i Durrësit është mirë (vetëm) për kosovarët dhe maqedonasit”. E kam vlerësuar shumë këtë ndershmëri intelektuale të çiltër, por megjithatë besoj se do të duhej një thellim i mëtejshëm mbi “përse” qyteti ynë nuk mund të konkurojë me destinacionet e tjera turistike të Adriatikut dhe mbi “çfarë” e bën të përshtatshëm vetëm për “turizmin patriotik” të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve. Në fakt mendoj se të gjithë qytetarët duhet të kuptojnë dhe të metabolizojnë rrjedhat historike dhe urbanistike që kanë përjashtuar Durrësin nga rrjeti i turizmit ndërkombëtar. Në këtë mënyrë njerëzit do të shikojnë se ky përjashtim është shkaktuar nga arsye thellësisht objektive dhe jo nga paragjykime të supozuara ose nga “racizmi” i të huajve ndaj Shqipërisë, siç përkundrazi, shumë shpesh, ia kanë bërë ta besojnë durrsakëve dhe shqiptarëve të tjerë.

Në pranverën e vitit 2003 iu bashkova një udhëtimi turistik për në Malin e Zi. Merrnin pjesë sidomos mësues të shkollës së mesme të Durrësit, pra njerëz të diplomuar, me nivel të lartë arsimor. Shumica e tyre nuk kishte qenë kurrë jashtë shtetit dhe isha kurioze të vëreja reagimin e tyre ndaj një vendi që, në atë kohë, ishte shumë ndryshe nga Shqipëria. Por qytezat e vjetra të Sveti Stefan, Budva dhe Kotor nuk shkaktuan asnjë admirim. Vëmendja e përgjithshme ishte përqendruar tek dredhat e rrugës bregdetare (në vend të maleve sugjestive thikë mbi det), tek dyqanet dhe tek pastërtia e mjedisit dhe e rrugicave. Provoja t'i tregoja bashkëudhëtarëve të mi ndonjë kuriozitet për historinë e vendit, për kishat dhe për ndërtesat më domethënëse, por vëreja të njëjtin interes që do të tregoja unë nëse dikush do të përpiqej të më bindte për bukurinë e grataçelave të Dubai. Në kthim, kur i kërkova bashkëudhëtarëve të mi një krahasim objektiv midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, midis Kotor dhe Durrësit, m'u përgjigjën se “natyrisht, është më e bukur Shqipëria dhe Durrësi, sepse është shtëpia jonë, atdheu jonë”. Atëherë iu luta edhe një herë të ishin “objektivë”, pra të provonin të gjykonin situatën jo me syrin e patriotizmit, por nga një perspektivë e jashtme, duke konsideruar se në Malin e Zi kishte shumë turistë të huaj, ndërsa në Shqipëri jo. Përgjigja qe e thjeshtë dhe e vendosur: “të huajt e urrejnë Shqipërinë, grekët dhe serbët i bëjnë reklamë të keqe vendit tonë dhe për këtë arsye mungon turizmi”.

Sot, ky episod mund të bëjë të buzëqeshin pjesën e kulturuar të popullsisë shqiptare dhe sigurisht operatorët turistikë, të cilët tashmë janë ekspertë të sektorit të tyre dhe njohin mirë shijet e turizmit ndërkombëtar, njohin faktorët që dallojnë turizmin masiv nga turizmi elitar, turizmin me rentë nga turizmi me shtyrje, turizmin e huaj nga turizmi i brendshëm, por sidomos kanë mësuar të masin kufizimet dhe potencialitetet e një vendi nën dritën e faktorëve estetikë e socialë që e karakterizojnë. Megjithatë, kam frikë se akoma tepër durrsakë nuk pranojnë realitetin dhe iluzionohen me ardhjen e ndonjë kroçere të vogël, pa arritur ta vendosin Durrësin dhe bregdetin e tij në perspektivën e drejtë turistike.

Kujdes me fenomenin psikologjik të “dislokimit”

Shkenca psikologjike ka dalluar një mekanizëm mendor interesant të quajtur “dislokimi i përgjegjësisë”, që konsiston në tendencën e disa individëve (apo grupe individësh) për të drejtuar pakënaqësinë apo tërbimin e tyre kundër shkaqeve që nuk janë burim i vërtetë i tensionit. Për shembull, në periudha krizash financiare si ajo që po kalojmë tani, në qytetet e mëdha të Europës perëndimore vërehet rritje e nervozizmit ndaj imigrantëve nga Bota e Tretë, edhe pse ata nuk janë e vetmja arsye e përkeqësimit të kushteve social-ekonomike të Kontinentit të Vjetër. Në të njëjtën mënyrë, gjatë tërë historisë së njerëzimit, shoqëritë – sidomos ato “të mbyllura” – gjithmonë kanë provuar t'ia hedhin fajin e epidemive, e zisë së bukës dhe të katastrofave natyrore grupeve sociale të përcaktuara apo individëve të veçantë (mendoni për “gjuetinë e shtrigave” në Mesjetë). Ky kërkim i një “koke turku”, shpesh shumë larg nga shkaku i vërtetë i problemeve, gjendet edhe në sjelljet e fëmijëve 4-7 vjeçarë të rritur në ambiente estetikisht të këndshëm, për shembull në vende të pasura me bukuri natyrore, në qytete artistike apo në fshatra karakteristike: nëse këta fëmijë do të shëtiteshin në zona industriale apo të degraduara, do të shikohej se do të bëheshin nervozë, por nuk dinë të shpjegojnë arsyen e pakënaqësisë së tyre, dhe në fund do të ankoheshin se “akullorja nuk ishte e mirë” apo se “nuk kishte lule”. Por problemi i vërtetë nuk janë as akullorja as lulet, por konteksti i shëmtuar dhe i degraduar, që shqetëson psikologjikisht fëmijën.

Nganjëherë më duket se edhe në Durrës, kur flitet për turizmin, shumë qytetarë vuajnë nga një formë “dislokimi psikologjik i përgjegjësisë”, duke i hedhur fajin shkaqeve dytësore për mangësitë turistike të qytetit dhe të bregdetit të tij. Abuzohet me termin “infrastruktura”, duke u ankuar për mungesë të rrugëve, të parkimeve, të kanalizimeve, të dusheve dhe tualeteve në plazhe. Apo denoncohen kushtet dhe standardet e hoteleve, “dobësia e shërbimit” ose papastërtia e zakonshme e plazheve. Ose i vihet faji mungesës së publicitetit, marketingut dhe broshurave informative për gjërat tërheqëse të Durrësit. Flitet për gjithçka përveç se betonizimit dhe efekteve të tij shkatërrimtare mbi peisazhin, domethënë mbi imazhin turistik të qarkut durrsak.

Thuhet se problemet e Shëtitores Taulantia janë mungesa e gjelbërimit dhe lojrat për fëmijë “jo të çertifikuara”, kur në të vërtetë fatkeqësia kryesore, më e dukshme, është muri i pallateve, grataçelat, “digat” dhe ndërtimet heterogjene thikë mbi det. Thuhet se problemet e Currilës janë kioskat dhe inertet, ndërsa askush nuk duket se vëren se muri i pallateve po vazhdon edhe përgjatë kësaj rruge. Thuhet se monumentet e Durrësit – amfiteatri, muri bizantin, rotonda – nuk promovohen dhe mbrohen mjaftueshëm, por akoma nuk kuptohet se vlera e një monumenti varet nga konteksti në të cilin është i vendosur, dhe se një monument i rrethuar nga pallate shumëkatësh apo nga vila private nuk ka vlerë. Asnjë promocion publicitar, asnjë “menaxhim turistik” alla amerikançe nuk mund të ringjallë një monument antik të mbytur nga ndërtesa të reja. Asnjë “koordinim midis institucioneve” nuk mund të zhdukë me magji xhunglën e betonit të Plazhit dhe të Golemit, për të na dhënë mbrapsht pyllin e pishave, livadhin, ullishtet, kodrat dhe atë ajër të mrekullueshëm fushe mesdhetare që s'do ta thithim më kurrë.

“Infrastrukturat” mitike, dushet, tualetet, kamarierët që të puthin këmbët, lojrat për fëmijë, kioskat, janë të gjithë probleme të zgjidhshëm. Përkundrazi, pallatet buzë detit nuk do të mund të hiqen kurrë dhe do të mbajnë gjithmonë larg turizmin e huaj. Duhet pushuar me “dislokimin e përgjegjësisë” dhe, për ta thënë amerikançe, është momenti për të folur në mënyrë kritike dhe të vetëdijshme për “elefantin në dhomë”. Duhet kuptuar se shumica e turistëve botërorë është në kërkim të bukurisë, të natyrës së virgjër, të artit, dhe ndoshta të pak aventure. Është e qartë se një qytet tashmë pa një qendër historike të lexueshme dhe organike, me pak monumente të izoluara dhe të gëlltitura nga ndërtimet, dhe një bregdet i betonizuar me hotele e pallate në stilin “ndërtim popullor” nuk mund të kënaqin këto egzigjenca.

Rruga drejt turizmit masiv

Për arsye të ndryshme, në njëzet vitet e fundit, Shqipëria dhe kryesisht Durrësi kanë transformuar territorin e tyre sipas kritereve të përshtatura për nevojat dhe për shijet e qytetarëve shqiptarë, pa menduar për pasojat turistike që do të shkaktonin këto ndryshime. Përmasat e vogla të apartamenteve të regjimit dhe fenomeni i imigracionit nga zonat rurale kanë bërë urgjente ndërtimin e disa pallateve, por fatkeqësisht proçesi ndërtimor u krye në mënyrë jo organike dhe e frymëzuar nga logjika komuniste sipas së cilës “të gjithë kanë të drejtë të banojnë në qendër të qytetit”. Prandaj, në vend të krijimit të lagjeve të reja në periferi, në Durrës u fillua pikërisht nga bregdeti dhe nga qendra, duke realizuar atje pallate të ngjashëm me ato që ngrihen në periferitë urbane të botës perëndimore. Për më tepër, ashtu siç ka ndodhur në Italinë jugore, grumbullimi i kapitaleve të mëdha të prodhuara nga “emigracioni” ka transformuar sektorin ndërtimor në një vegël të çmuar për “ri-investim”, duke zhvilluar një aparat ekonomik shumë të gjerë që rrotullohet rreth ndërtimit. Realizimi i pallateve dhe hoteleve është bërë një prej zërave kryesorë të buxhetit të Shtetit shqiptar, bashkë me kursimet e emigrantëve, dhe prandaj nuk mund të bllokohet lehtë.

Nga ana tjetër, për shkak të mbylljes së saj historike ndaj botës së jashtme, që arriti kulmin gjatë periudhës komuniste, Shqipëria nuk ka patur mundësinë të krahasohej me vendet fqinje dhe me sferën perëndimore. Kështu popullsia ka zhvilluar një mentalitet shumë vetëreferues, duke u bindur se shijet dhe stili i jetës shqiptare ishin universale dhe se duhej t'i pëlqenin gjithë botës, sepse “bota” që njihnin ishte ajo e përbërë nga të afërmit, komshinjtë dhe bashkëqytetarët. Për më tepër, për të mos ngjallur tek njerëzit zhgënjim dhe dëshirë për arratisje, regjimi komunist qe shumë i vëmendshëm në kufizimin e informacionit mbi bukuritë natyrore dhe artistike të planetit, derisa përjashtonte nga programi i gjimnazeve studimin e Historisë së Artit botëror. Pra, është logjike se shqiptarët nuk kanë patur okazionin për të kuptuar vlerën estetike dhe rëndësinë turistike të qyteteve antike – jo të monumenteve të veçantë të izoluar, por të qyteteve dhe fshatrave të tëra.

Është e kuptueshme se, pas viteve të vështira të komunizmit, shqiptarët ëndërronin pushime “luksuoze” dhe “omniconfort”, dhe se dëshironin hotele buzë detit mundësisht me pishinë. Për më tepër, me rëndësinë themelore të familjes, duheshin struktura të përshtatshme për fëmijët: u mendua se i ashtuquajturi “turizëm familjar” – që është  turizëm masiv – ishte i vetmi model turistik ekzistues në botë, duke injoruar se shumica e turizmit botëror është e përbërë nga udhëtarë të rinj dhe “sportivë”, të cilët lëvizin me kamper ose në këmbë, me tren, me autobus, me çantë shpine dhe tendë në krahë, në kërkim të kampingjeve ose të parqeve natyrore ku flihet NËN yje, dhe jo në hotele me 5 yje! Pra, Shqipëria zbuloi turizmin masiv kur, në botën perëndimore, ky lloj pushimi ishte jashtë mode. Jo rastësisht, lokalitete italiane të turizmit masiv si Rimini apo qendra të tjera të Rivierës adriatike mbijetojnë me mundime vetëm në sajë të ardhjes së rusëve, polakëve, çekëve dhe popujve të tjerë që kënaqen me çdo breg të Mesdheut dhe me ndonjë shërbim hotelerie për familjet.

Është pikërisht në target të Europës lindore dhe të Rusisë që do të duhej të pikësynonin ofertat turistike të Durrësit, domethënë mbi popuj që nuk kanë shumë eksperiencë pushimesh në plazh dhe që akoma praktikojnë turizëm familjar. Bregdeti i Durrësit mund të bëhej një “laborator social” i çmuar për takime dhe miqësi midis vendeve të ish bllokut komunist, njerëzit e të cilit do të kishin okazionin të njiheshin dhe të kuptonin se zhvillimet historike dhe mentaliteti i tyre janë më afër sesa ata mendojnë. Shekujt e kaluar nën perandori absolutiste, trauma e diktaturave të kuqe, vlerat familjare e sociale konservatore, pasioni për kërcimin, jeta e thjeshtë dhe e strukturuar: ajo që i bashkon popujt e Europës lindore është shumë më e thellë sesa nacionalizmat që gjithmonë  i kanë ndarë, dhe Plazhi do të ishte vendi i përshtatshëm për ta demonstruar.

Operatorët turistikë – si edhe një pjesë e mirë e popullsisë – tregohen shumë konkretë dhe realistë, duke folur qartë dhe duke i dhënë fund iluzionit të turizmit të huaj dhe/apo elitar, i ëndërruar për shumë vite nga shtresat më të thjeshta të qytetarëve dhe i ushqyer me cinizëm nga disa administratorë dhe politikanë populistë. Ofertat turistike të Durrësit do të duhej të pikësynonin në target të Europës lindore dhe të Rusisë, domethënë mbi popuj që nuk kanë shumë eksperiencë pushimesh në plazh dhe që akoma praktikojnë turizëm familjar…