Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Ergys Agasi. Mësohet se, ky vendim u mor pas shqyrtimit të kërkesës së palës mbrojtëse, duke përcaktuar se Agasi do të vijojë të qëndrojë në qeli pas arrestimit të tij dy ditë më parë, më 26 gusht.

Biznesmeni ndodhej prej muajsh në arrati dhe kërkohej nga SPAK-u në kuadër të hetimeve për aferat korruptive me AKSHI-n.

Ndaj Agasit janë ngritur një sërë akuzash nga Prokuroria e Posaçme, përfshirë “grup të strukturuar kriminal”, “pastrim të produkteve të veprës penale”, “shkelje të barazisë në tendera”, “konkurrencë të paligjshme” dhe “heqje të paligjshme të lirisë”. Me lënien në fuqi të masës më të rëndë të sigurisë, hetimet ndaj tij do të vijojnë ndërsa ai ndodhet në paraburgim.