Një 36-vjeçar në Fier është arrestuar pasi në makinën e tij iu gjetën 35 doza kokaine.
Mësohet se është arrestuar 36-vjeçari Vilson Plaka, i cili me makinën e tij tip “Benz” po transportonte 35 doza kokaine gati për shitje.
Policia sekuestroi drogën dhe një aparat celular në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policisë:
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza. Vihet në pranga drejtuesi i mjetit ku u gjetën doza me lëndë narkotike kokainë.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore se një shtetas që qarkullonte me automjet, shpërndante lëndë narkotike të forta në doza, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Seksionin Operacional në DVP Fier, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit të dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin V. P. (J)., iu gjet sasi lëndë narkotike kokainë e ndarë në 35 doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 1 celular.
Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, shtetasit V. P. (J)., 36 vjeç, banues në Kuman, Roskovec.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.