Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të kryejë verifikim të thelluar për Tonin Marinajn, kryetarin e Bashkisë së Malësisë së Madhe dhe dërgimin e të dhënave përkatëse Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësim të mëtejshëm.

“Kryerjen e verifikimit të thelluar për Tonin Zef Marinaj, Kryetar në Bashkinë Malësi e Madhe, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, dhe dërgimin e të dhënave përkatëse Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësim të mëtejshëm. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.”

Vendimi i kryekomisionerit Ilirjan Celibashi erdhi pas kërkesës që grupi parlamentar i PD-së i bëri Prokurorisë së Përgjithshme, me argumentin se kryebashkiaku socialist akuzohet nga Prokuroria e Antimafias Italiane si drejtues i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe kjo nuk është paraqitur në formularin e vetëdeklarimit.

Vetë Tonin Marinaj i hodhi poshtë akuzat, duke e cilësuar një skenar të turpshëm. Kundër këtij vendimi mund tё bёhet ankim nё Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, brenda 30 ditëve nga shpallja e tij.

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u miratua edhe projektvendimi për anëtarët që do të propozojnë partitë politike në KZAZ nr. 88 për zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë. Kështu 3 anëtarë propozohen nga PS, 2 anëtarë propozohen nga PD dhe 1 anëtar propozohet nga Partia e Lirisë. Anëtari i 7 u hodh me short dhe do të propozohet nga PD, ndërsa sekretari i KZAZ-së nr. 88 do të propozohet nga PS.