Fjalimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në sheshin kryesor të Tetovës ka sjellë zemërimin e presidentit serb Vuçiç.

Presidenti serb akuzon Kurtin se po promovon idenë e Shqipërisë së Madhe. Vuçiç iu referua vizitës se Albin Kurtit në Tetovë, ku siç tha, u prezantua si kryeministër i të gjithë shqiptarëve.

Vuçiç tha se Albin Kurti po përpiqet të nxisë trazira jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në jug të Serbisë.

 “Vizita e Kurtit ne Tetovë është skandal mbi skandale. Aty u promovua ideja e Shqipërisë së Madhe, aty u shfaqën simbolet e saj. Kurti u prezantua aty si kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Përuroi rrugën Adema Demaći i cili ishte edhe mentori dhe idhulli i Albin Kurtit. Nëse nuk do të ishim kaq të fortë, ta  dini se ai nuk do të sulmonte vetëm Serbinë qendrore, por edhe Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe pyetja është se çfarë do të ndodhte me Shqipërinë. Kurti duket se ka mbështetjen e heshtur të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.”

Kryeministri Kurti zhvilloi një vizitë joformale në Maqedoninë e Veriut. Ai u takua vetëm përfaqësuesit e dy partive opozitare dhe anashkaloi takimin me BDI-në, partinë më të madhe të shqiptarëve atje.