Në brigjet shqiptare është ankoruar dy ditët e fundit anija ushtarake Ucka, e cila ka pasur në bordin e saj familjen presidenciale kroate.

Presidenti kroat Zoran Milanoviç ka zgjedhur bregdetin e jugut të Shqipërisë për të pushuar në këto ditë të nxehta gushti. Siç duket edhe nga fotoja që ka siguruar DurrësLajm, anija me të cilën udhëton presidenti Milanoviç është ankoruar në bregdetin e Himarës, ndërsa sot, zyrtari i lartë kroat ka konsumuar një drekë me kryeministrin Rama dhe familjen e tij. Milanovic dikur ka qenë edhe këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë.

Rama dhe Milanoviç, të cilët i lidh një miqësi e hershme janë ndalur sot në Gjirokastër, ku kanë vizituar kalanë, shtepinë e Ismail Kadaresë dhe pazarin. Më pas, presidenti kroat është larguar në bordin e anijes Ucka, ndërsa kryeministri Rama po vijon pushimet e tij në jug të vendit.

Pushimet e Ramës në këto ditë kur shifrat e infeksioneve dhe vdekjeve nga Covid-19 janë rritur ndjeshëm në vendin tonë kanë nxitur reagimin e ashpër të opozitës. Vlen të theksohet se pavarësisht situatës së rëndë që po kalon vendi, kryeministri Rama, mjaft aktiv në rrjete sociale për reagime nga më të ndryshmet, nuk ka thënë asnjë fjalë për Covid-19.