SHBA – Agjencia “Golden Spike” po planifikon të lidhë Tokën me Hënën me fluturime komerciale për njerëzit, duke nisur që nga viti 2020.

Sipas Alan Stern, ish-drejtori i departamentit të Misioneve Shkencore të NASA-s, misionet në Hënë janë shndërruar në një biznes tepër fitimprurës. “Vihuni në radhë, sepse së shpejti do të shihni me sy mrekulli. Jam i bindur se radha që do të krijohet për të shkuar në Hënë do të jetë shumë e gjatë”,- thotë ai.

Ideja e “Golden Spike” është përdorimi i teknologjive ekzistuese, ose atyre të zhvilluara për raketat. Në videon e prezantimit të projektit agjencia përmend arritjet e mëdha të bëra nga “Space X” në fushën e eksplorimit hapësinor komercial.

Qëllimi i agjencisë është që të organizojë fluturime të rregullta duke nisur prej vitit 2020. Çmimi do të jetë 1,5 milionë dollarë për person. Për momentin nuk janë parashikuar financime multimilionere. Stern është i sigurt se kjo nismë do të vetëfinancohet me shitjet që do t’u bëhen qeverive të ndryshme, korporatave dhe individëve, të cilët do të duan të eksplorojnë atë që cilësohet si kontinenti i tetë i Tokës.

Para disa ditësh Elon Musk, themeluesi i “Space X”, kishte paraqitur planin e tij për pushtimin e planetit Mars nga njerëzit. Çmimi për të çuar një person në planetin e kuq ishte llogaritur diku te 500.000 dollarë, një e treta e asaj që mendon Stern për të shkuar në Hënë. Por në projektin e tij kishte një ndryshim rrënjësor: fluturimi për në Mars, që është parashikuar pas disa vjetësh, do të jetë vetëm për vajtjen.