Uellsi dhe Zvicra kanë ndarë pikët mes tyre në ndeshjen e parë të ditës së sotme në Euro 2020. Dy skuadrat që bëjnë pjesë në një grup me Italinë dhe Turqinë, kanë menduar më shumë të mos humbasin dhe në fund barazimi nuk është se lë ndonjë ekip të pakënaqur.

Në fakt, ishte Zvicra ajo që ngulmoi në kërkim të golit dhe e kërkoi më shumë atë, duke iu afruar disa herë sidomos me tentativat nga jashtë zonës. Por goli i avantazhit do të vinte vetëm në fillimin e pjesës së dytë me Embolo, pas një goditje nga këndi të harkuar nga Shaqiri.

Uellsi reagoi dhe shtoi forcat në sulm duke kuptuar se një duel pa pikë mund të ishte fatal për shanset e tij për të vazhduar më tej në turne. Një tjetër goditje me kokë, ajo e Mur, i dha mundësinë skuadrës së drejtuar nga Rob Peixh që të barazonte shifrat, ndërsa më pas dy ekipet u mbrojtën mirë duke evituar rreziqe të kota, për të marrë nga 1 pikë që i mban në ndjekje të Italisë së vendit të parë.