Ashtu siç pati paralajmëruar kompania CEZ shkëputi mëngjesin e së premtes energjinë elektrike në stacionin e pompimit në Fushë Kuqe, që furnizon me ujë gjithë qarkun e Durrësit. Kështu qyteti bregdetar iu bashkua njësive të tjera vendore në rang kombëtar që ranë pre e arbitraritetit të treguar nga kompania çeke.  

CEZ ka ndërprerë energjinë për stacionin e Fushë Kuqes rreth orës 09 të mëngjesit duke lënë 400 mijë banorë pa ujë të pijshëm në qarkun e Durrësit, për më shumë se katër orë. Në të njëjtën kohë punonjësit e kësaj kompanie me urdhër të shefave të tyre kanë stakuar energjinë në 4 nga 12 objektet e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, duke shkaktuar situatë kaotike në të gjithë qytetin bregdetar dhe rrethinat e tij. Pas këtij veprimi të CEZ ka qenë i menjëhershëm reagimi i institucioneve vendore.  

Prefektura 

Prefekti i qarkut të Durrësit, Genc Alizoti, ka reaguar për këtë vendim të kompanisë çeke, i cili sipas tij është i papranueshëm dhe i pa precedent. Prefekti sqaroi se ndërmarrja e Ujësjellësit i ka shlyer detyrimet ndaj kompanisë çeke të energjisë në masën 85%.

“7 milionë dollarë ka paguar UKD ndaj CEZ gjatë këtij viti, vlerë kjo e një pjese të faturave të papaguara ndër vite nga kjo ndërmarrje për energjinë elektrike të shpenzuar. Aktualisht debia e Ujësjellësit të Durrësit ndaj CEZ është 186 milion lekë të reja, ndërsa 200 milion prej tyre u shlyen në tetor kur qeveria kaloi për llogari të kompanisë së energjisë grantin qeveritar për pushtetin lokal”,- tha Alizoti. Prefekti e konsideroi arbitrar veprimin e CEZ për më tepër që ky veprim vjen në një kohë kur një pjesë e mirë e mirë e debisë që UKD ka ndaj kompanisë çeke është likujduar.

Bizneset dhe qytetarët

Njoftimi i disa ditëve më parë i kompanisë çeke për ndërprerjen e energjisë në Ujësjellësa nxiti reagimin e qytetarëve durrsakë, të cilët nxituan të mbushin depozitat për t’i paraprirë mbetjes pa ujë. Uji është mjet jetik dhe mungesa e tij shkakton anomali në mbarëvajtjen e aktivitetit të përditshëm qoftë të qytetarëve, qoftë të bizneseve. Bizneset e vogla në Durrës, ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm e konsiderojnë falimentim të aktiviteteve të tyre e për këtë arsye ata kanë qenë të parët që u ankuan për veprimin absurd të CEZ.

Qytetarët i bënë thirrje qeverisë, pushtetit lokal por edhe strukturave të tjera shtetërore të merrnin masa urgjente, që një situatë e tillë të mos përsëritet, sepse çon në kolaps të gjithë qytetin. Për më tepër qytetarët dhe bizneset ankohen sepse janë ata që i vuajnë pasojat e mbetjes pa ujë, në një kohë kur janë pagues të rregullt të faturave të ujit të pijshëm. “Kur e paguajmë rregullisht, pse duhet të vuajmë ne pasojat e mbetjes pa ujë, në një kohë kur problem qëndron diku tjetër”,- thonin mjaft qytetarë ditën e premte.

Reagimi i policisë

Pas ndërprerjes së energjisë elektrike në stacionin e pompimit në Fushë Kuqe ka ardhur reagimi i policisë së shtetit. Pas rreth 4 orë ndërprerje është bërë e mundur rilidhja e energjisë elektrike në depon kryesore numër 1 dhe numër 2 në Durrës, në stacionin e pompave të Shijakut dhe të Krujës.

Stacionet e pompave në qytetin e Durrësit, në plazh në ish kënetë dhe në rrethina nuk janë stakuar, sepse këto objekte që konsiderohen si të rëndësisë së veçantë janë marrë në mbrojtje nga policia e Durrësit. Punonjësit e CEZ, nuk janë lejuar të ndërpresin energjinë elektrike në këto objekte. Ndërkohë në stacionin e pompave në Fushë Kuqe energjia u rilidh jo nga punonjësit e CEZ, por nga policia dhe banorët e zonës.

Dëmi i shkaktuar

Mbrëmjen e së premtes, pas evidentimit të problematikës, kryeinxhinieri i Ujësjellësit, Franc Stajka, i është drejtuar policisë së Durrësit ku ka bërë kallëzim penal për kompaninë CEZ. Në bazë të verifikimeve që punonjësit dhe drejtuesit e UKD-së kanë bërë në terren rezultoi se pesë elektropompa të nënstacioneve të pompimit ishin djegur dhe paraprakisht dëmi llogaritet në rreth 50 mijë euro.

“Dëmi ekonomik përllogaritet deri në 50 mijë euro. Janë djegur 2 elektropompa të stacionit të Fushë Kuqes, një elektropompë në depon numër 1 në Durrës, një në Shijak, një në Krujë si dhe dëmtime të tjera ka patur në këto stacione. Popullata ka patur anomali të mëdha në furnizimin me ujë të pijshëm, për të cilat duhet të mbahet përgjegjësi penale”,- thuhet në denoncimin e bërë në polici nga UKD.

Arrestimet

Policia e Durrësit ka prerë fletë arrestet për pesë punonjës të CEZ, të cilët kanë ulur automatët e energjisë elektrike duke lënë pa energji stacionet e pompimit që furnizojnë me ujë të pijshëm qytetin. Punonjësi i CEZ në Durrës, elektricisti Artan Osmani është arrestuar për ndërprerjen e energjisë në depot e ujit të Durrësit dhe Lulëzim Kupa për ndërprerjen e energjisë në Krujë. Të dy elektriçistët akuzohen për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, vetëgjyqësisë dhe shkatërrimit të pronës, të parashikuara nga nenet 248, 277 dhe 150 të Kodit Penal.

Në njoftimin për shtyp të policisë thuhet se “CEZ Shpërndarja ka ndërprerë energjinë elektrike në stacionin e pompave dhe për pasojë fshatrat Lalëz, Ishëm, Karrëç, Karpën, Maminas nuk janë furnizuar me ujë të pijshëm. Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbime policie të cilat kryen verifikimet dhe veprimet e para hetimore nga ku rezultoi se se dy punonjësit e kompanisë CEZ, me detyrë elektriçistë:Dod Dema, 61 vjec dhe Dervish Dervishi, 45 vjec, lindur dhe banues në Shkafane Ishëm, të urdhëruar nga eprori i tyre shtetasi Idri Hana, me detyrë Shef i Qendrës së Marketingut të kompanisë CEZ, dega Shijak kanë kryer ndërprerjen e energjisë.

Tre shtetasit në fjalë u arrestuan në flagrancë nga ana jonë për veprat penale të  “Shpërdorimit të detyrës”, “Kryerjes së veprimeve arbitrare” dhe “Ushtrimit të një të drejte apo përmbushje të detyrës”, parashikuar nga nenet 248, 250 dhe 21 të Kodit Penal”.