Ukraina tha dje, të mërkurën, se ishte gati të zhvillonte bisedime të reja me Rusinë të hënën në Stamboll, pas propozimit të Moskës, por i kërkoi palës ruse të formulonte paraprakisht kushtet e saj për paqe në mënyrë që takimi të jepte fryte.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov shpjegoi në një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Marco Rubio tha se vendi i tij synon të zhvillojë bisedime me Ukrainën në Turqi.
Moska dje i propozoi Kievit një raund të dytë bisedimesh të drejtpërdrejta në Stamboll, me qëllim që t’i jepte palës ukrainase memorandumin me kushtet e saj për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
“Delegacioni ynë, i udhëhequr nga (Vladimir) Medinsky , është gati t’ia paraqesë këtë memorandum palës ukrainase dhe t’i japë asaj shpjegimet e nevojshme gjatë një raundi të dytë të negociatave të drejtpërdrejta në Stamboll më 2 qershor. Ne nuk jemi kundër takimeve të reja me rusët dhe po presim memorandumin e tyre”, njoftoi Lavrov.
Medinsky ishte kreu i negociatorëve rusë gjatë bisedimeve të para ruso-ukrainase, më 16 maj në Stamboll. Këto ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta midis dy palëve që nga pranvera e vitit 2022 dhe fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Këto negociata nuk dhanë rezultate të rëndësishme, megjithëse të dyja palët ranë dakord për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve, i cili u përfundua fundjavën e kaluar.
Duke falënderuar “partnerët tanë turq”, Lavrov tha dje se shpreson që “të gjithë ata që janë vërtet të interesuar” për “suksesin e procesit të paqes” do të mbështesin mbajtjen e një raundi të dytë negociatash. Të premten, ai siguroi se Moska po punon mbi memorandumin që paraqet qëndrimet e saj dhe së shpejti do ta dërgojë atë në Kiev.
Për momentin, qëndrimet zyrtare të dy palëve ndërluftuese duken të vështira për t’u pajtuar: Rusia po i kërkon kryesisht Ukrainës të angazhohet për të mos u bashkuar kurrë me NATO-n dhe të heqë dorë nga pesë provincat që pretendon, diçka që pala ukrainase e konsideron të papranueshme. Rubio i bëri thirrje Moskës të angazhohet në “dialog konstruktiv me mirëbesim me Ukrainën, e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, sipas një deklarate të lëshuar dje.